Botohet në shqip libri i fundit i THOMAS L. FRIEDMAN “E NXEHTË, E RRAFSHËT DHE E MBIPOPULLUAR”

THOMAS L. FRIEDMAN



E NXEHTË, E RRAFSHËT DHE E MBIPOPULLUAR



E përkthyen: Maklen Misha, Virgjil Muçi, Xhimi Lazri, Marenglen Pepa





Parathënia e botimit të ri



Mirësevini në botimin e ri në format xhepi të këtij libri. Unë i kam parë gjithnjë librat e mi siç sheh një programues kompjuteri softuerin, pra si punë në vazhdim, që sa herë që del rasti duhet t’i azhornosh. Teknologjia e ka bërë këtë sot më të lehtë se kurrë, ndaj dhe si me gjithë librat e mi të mëparshëm, dhe këtë herë s’e lash të më iki duarsh kjo mundësi.
Dua të falënderoj lexuesit që gjetën kohë të ndanin me mua nëpërmjet internetit mendimet e tyre. Cilësia dhe gjerësia e komenteve të tyre më ndihmuan që të kuptoj më mirë temën për të cilën shkruaja, duke më bërë të vras mendjen për t’i çuar edhe më tej argumentet e mi. Fillimisht mendova që komentet e lexuesve t’i përmblidhja në një kapitull më vete, por më pas, ngjarjet që ndodhën, sidomos kriza globale financiare që shpërtheu vetëm tre javë pasi ky libër qe botuar, në shtator të vitit 2008, më bënë të ndërroj mendje. Faktikisht, tre kapitujt e parë të librit janë rishkruar tërësisht, për të treguar sesi kriza e tregjeve financiare dhe ajo e botës sonë natyrale kanë rrënjë të përbashkëta tek mënyra e gabuar e bërjes së llogarive dhe e idesë që kemi për rrezikun. Po ashtu, përfitova nga ky vit për t’i bëra disa  argumente edhe më të mprehtë, apo azhornuar disa fakte dhe, shpresoj, për ta bërë sa më bindëse idenë se forcat që janë duke e bërë botën tonë të nxehtë, të rrafshët dhe të mbipopulluar përbëjnë për brezin tonë sfidën më të madhe, një sfidë që mund të kthehet po ashtu, dhe në një shans të madh ekonomik.

Thomas L. Friedman
Bethesda, Merilend
Shtator 2009




Një


Përse Citibank, bankat e Islandës dhe akujt* e Antarktidës u shkrinë të gjitha në të njëjtën kohë


N
ë 15 qershor 2005, kur ekonomia botërore po përjetonte një bum, gazeta satirike The Onion [Qepa] botoi historinë e mëposhtme për punëtorët kinezë dhe gjithë ato gjëra që ata prodhojnë për amerikanët. Ndonëse historia ishte e sajuar, ashtu si dhe shumë histori të tjera në The Onion, ajo në fakt përmbante disa të vërteta të rëndësishme:

FENGHUA, KINË – Të hënën Cen Hsien, një punonjës i Fenghua Ningbo Plastic Works Ltd., një fabrikë plastike që prodhon artikuj shtëpiakë për tregjet perëndimore, shprehu habinë mbi “sasinë e paparë të [plehrave] që blejnë amerikanët.”
“Shpesh, kur na jepet një porosi e re, le të themi për ‘grirës sallate’ them me vete: ‘Është e pamundur që dikush t’i blejë këto,’” ia bëri Cen-i gjatë pushimit të drekës në oborrin e jashtëm. “Por, një muaj më vonë, marrim një tjetër porosi po për të njëjtin produkt, por në sasi tre herë më të madhe. E kujt mund t’i hyjnë vallë në punë këto [plehra] të padobishme?”
 Cen-i, 23 vjeç, i cili ka punuar si operator injektimi kallëpesh në fabrikë që kur ajo u hap në 1996, tha se ai ia bën shpesh vetes këto pyetje gjatë javës së punës, që i kalon të 60 orët dhe i sjell të ardhura me vlerë rreth 21 dollarë.
“Kam dëgjuar se amerikanët mund të blejnë ç’të duan, dhe e besoj këtë, nëse gjykoj nga gjërat që kam prodhuar për ta,” tha Cen-i. “Kam dëgjuar dhe se kur s’iu pëlqen më një send, ata thjesht e hedhin atë. Është gjë kaq dorëlëshuar dhe e përbuzshme.”
Mes sendeve që Cen-i ka ndihmuar të krijohen janë shpërndarësit e qeseve plastike, enë për gatimin e omëletës në mikrovalë, lente zmadhuese që vezullojnë në errësirë, kosha për mbajtjen e dosjeve me zbukurime Krishtlindjeje, kuti për lentet e syve me forma kafshësh, si dhe grepa për të varur rrobat.
“Nganjëherë, ndonjë nga artikujt që prodhojmë s’ngjan me asgjë tjetër që kam parë ndonjëherë,” tregon Cen-i. “Njëherë prodhuam diçka që dukej si një garuzhde, por me vrima dhe me një dorezë që përkulej me 90 gradë. Përgjegjësi na tha se ishte një mbajtëse për kanoçe pijesh freskuese për makina. Po pate fat sa të kesh një makinë, ulu dhe shijo udhëtimin. Ruaje pijen freskuese për më vonë.”
Cen- i shtoi: “Njeriu bën dhe pa mbajtëse gotash.”
Habinë e tij Cen-i e shprehu dhe për dhjetëra mijëra qëruesit e ananaseve, qerpikët plastikë, shpërndarëset e kruajtëseve të dhëmbëve, apo lojërat për qentë.
“Përse ka aq shumë kërkesa për artikuj kuzhine?” pyeti Cen-i. “E kuptoj që mund të të duhet një wok[1]i mirë, një tenxhere për orizin, një ibrik për çajin, një skarë, disa lugë e pirunë, pjata e filxhanë porcelani, një çajnik me kullesë dhe ndoshta një termos. Por gjithë këto të tjerat – ku i fusin amerikanët gjithë këto gjëra? Sa herë mund të të duhet të përdorësh një mbajtëse për taco?...” Cen-i tha po ashtu se shumë nga këto produkte thyhen pasi i ke përdorur disa herë.
“S’janë bërë për t’u përdorur gjatë,” ia bëri Cen-i. “Ndoshta kjo bëhet që amerikanët të kthehen prapë që të blejnë të tjera...”

Satira e The Onion edhe pse në formë të karikaturizuar, kapte thelbin e motorit më të fuqishëm që gjatë tre dekadave të fundit ka bërë që standardet e jetesës të përhapen anembanë planetit: marrëdhënien e afërta që kanë ekzistuar mes konsumatorëve amerikanë dhe prodhuesve e kursimtarëve kinezë. Në thelb, motori i rritjes amerikano-kineze funksionon kështu: Ne në Amerikë ndërtojmë gjithnjë e më shumë dyqane, për të shitur gjithnjë e më shumë gjëra, të prodhuara në gjithnjë e më shumë fabrika kineze, që furnizohen me energji të prodhuar nga sasi gjithnjë e më të mëdha qymyrguri dhe nga gjithë këto shitje fitohen gjithnjë e më shumë dollarë, të cilat Kina i përdori për të blerë gjithnjë e më shumë bono thesari amerikane, duke i mundësuar Federal Reserve t’u jepte gjithnjë e më shumë kredi të lehta një numri gjithnjë e më madh bankash, konsumatorësh dhe biznesesh, në mënyrë që gjithnjë e më shumë amerikanë të kishin mundësi të blinin gjithnjë e më shumë shtëpi dhe të gjitha këto shitje e çuan çmimin e shtëpive lart e më lartë, gjë që i shtyu gjithnjë e më shumë amerikanë të ndiheshin sikur kishin gjithnjë e më shumë para për të blerë gjithnjë e më shumë mallra të prodhuar në gjithnjë e më shumë fabrika kineze, të furnizuara me energji të prodhuar nga sasi gjithnjë e më të mëdha qymyrguri, të cilat i sillnin Kinës gjithnjë e më shumë dollarë për të blerë gjithnjë e më shumë bono thesari, që riqarkulloheshin në Amerikë për të krijuar gjithnjë e më shumë kreditim në mënyrë që gjithnjë e më shumë njerëz të mund të ndërtonin gjithnjë e më shumë dyqane dhe të blinin gjithnjë e më shumë shtëpi...
Këto marrëdhënie, që kanë luajtur një rol aq kritik në fryrjen e flluskës së kreditimit të periudhës pas Luftës së Ftohtë, qenë aq të afërta sa që kur, në vjeshtën e 2008, befas amerikanët reshtën së ndërtuari dhe së bleri, mijëra fabrika kineze u mbyllën dhe fshatra të tëra u gjetën të papunë. Le të marrim, për shembull, rastin e Dafen-it, kolonia kineze e artistëve, në veri të Hong Kongut. Rreth nëntë mijë të diplomuar nga akademitë e arteve të Dafen-it e kanë shndërruar koloninë në qendrën botërore të prodhimit masiv të veprave të artit dhe të kopjeve të kryeveprave – pikturat në vaj që i gjen të varura në dhomat e moteleve dhe shtëpitë e reja anembanë Amerikës. Rreth 60 % e pikturave të vajit me çmim të lirë në botë prodhohen brenda katër kilometrave katrorë të Dafen-it. “Një kopje relativisht e mirë e ‘Luleve të diellit’ të Van Gogut shitet për 51 $,” raportonte Spiegel Online (23 gusht 2006). “Blini 100 dhe çmimi ulet në 33 dollarë...Të 100 pikturat, me garancinë se janë prodhuar nga artistë të diplomuar, dërgohen brenda tre javësh.” S’është për t’u çuditur që Dafen-i u godit aq rëndë nga plasja e flluskës amerikane të kreditimit. “Pronarët amerikanë të pasurive të paluajtshme dhe të hoteleve ishin zakonisht klientët më të mëdhenj të veprave që prodhoheshin në Dafen,” i tha Zhou Xiaohong-u, zëvendës kryetari i Shoqatës së Industrisë Artistike të Dafen-it, Sunday Morning Post të Hong Kongut (14 dhjetor 2008). “Sa më i madh numri i shtëpive të ndërtuara në Shtetet e Bashkuara, aq më shumë mure kishin nevojë për pikturat tona.” Konsumi i tepruar, ndërtimi i tepruar, kreditë e tepruara dhe kreditimi i tepruar, u kthyen në diçka të zakonshme gjatë flluskës sonë të kreditimit në periudhën pas Luftës së Ftohtë.
Një ndër shembujt e mi të preferuar vjen nga Minneapolis, qyteti im i lindjes. Isha për vizitë atje në pranverën e 2009 dhe po flisja mbi problemin e konsumit të tepruar me shokun tim të fëmijërisë Ken Greer, kur ai më tha: “Duhet të të tregoj diçka.” Shkuam me makinë në një qendër të vogël tregtare mes Shady Oak Road dhe Crosstown Highway. “Ok, shikoje pak këtë,” më tha Ken-i kur u futëm brenda. Ajo që më tregoi ai vështirë të të mos të binte në sy. Në të dy anët e hyrjes kishte Caribou Coffee, që është versioni minesotas i Starbucks.
Përse vallë mund t’i duheshin dy Caribou Coffe një qendre të vogël tregtare?
U futëm te lokali në të djathtë të hyrjes. Unë porosita një kafe me qumësht të skremuar dhe i thashë banakieres: “Më shpjego diçka. Ju jeni Caribou Coffee dhe atje është dhe një tjetër Caribou Coffee. Përse dy Caribou Coffee në më pak se njëqind jard larg njëra tjetrës?” Është fare e thjeshtë, më shpjegoi ajo. “Çdo mëngjes bëhej radhë e gjatë, prandaj na duhej një lokal tjetër.”
“E kuptoj,” thashë me vete. Meqë njerëzit duhet të prisnin një copë herë në radhë gjatë orëve të pikut në mëngjes, pronarëve të Caribou Coffee s’u shkoi mendja të shtonin thjesht një tjetër makinë ekspresi dhe dy banakierë të tjerë, por duhej të ndërtonin një kopje ekzakte të lokalit në anën tjetër të hyrjes së qendrës tregtare. E përse jo, derisa kishin para. Dy kafene të njëjta në të njëjtën qendër tregtare...
Me gjithë respektin për Dafen-it dhe Caribou Coffee, sinqerisht shpresoj që të mos kthehemi më kurrë tek ditët kur amerikanët e kishin mendjen si të merrnin sa më shumë kredi për të blerë gjithnjë e më shumë gjëra, me gjithnjë e më shumë kreditim që ushqente gjithnjë e më shumë fabrika kineze, apo gjithnjë e më shumë kafene që mbaheshin me energji të prodhuar nga qymyrguri. Natyrisht, nuk jam kundër tregtisë globale dhe rritjes ekonomike, por rritja jonë duhet të jetë më e ekuilibruar - si ekonomikisht ashtu dhe ekologjikisht. Ne s’mund të jemi thjesht konsumatorë dhe Kina thjesht prodhuese, sepse asnjëra palë s’mund të lejojë që mallrat që prodhohen dhe konsumohen të bëhen apo të përdoren në një mënyrë që dëmton ambientin, siç kemi bërë deri më sot. Një mënyrë e tillë e rritjes së standardeve të jetesës është thjesht e papërballueshme – e papërballueshme ekonomikisht dhe ekologjikisht.
Është kjo arsyeja përse Recesioni i Madh që nisinë 2008 s’ishte recesioni standard i kohës së gjysheve tona. Nuk bëhej fjalë thjesht për një ngadalësim të fortë të ekonomisë prej të cilit më pas e merr veten dhe kthehesh lehtësisht te zakonet e vjetra, veç me pak më pak likuiditet në formën e kredive, duke rrezikuar më pak dhe duke vënë rregulla disi më të forta. Jo, ky Recesion i Madh ishte shumë më i rëndësishëm se aq. Ai ishte si një parainfarkt.
Për fat s’qe vdekjeprurës. Por nuk duhet të injorojmë atë çfarë na tregoi: që rritja jonë s’ka qenë e shëndetshme as për tregjeve tona, as për planetin tonë, as për bankat dhe as për pyjet, as për tregtarët e as për lumenjtë. Recesioni i Madh qe çasti kur Tregu dhe Nëna Natyrë u bashkuan për t’i thënë ekonomive më të mëdha në botë, duke filluar me ShBA dhe Kinën: “Kjo nuk mund të vazhdojë më. Kupa është mbushur!”
Vërtet. Mënyra sesi po krijonim pasuri kishte prodhuar aq shumë asete toksike, si në botën e financave ashtu dhe në botën natyrore, sa që vitet 2008/2009 ato tronditën vetë themelet e tregjeve dhe ekosistemeve tona. Po, po, sepse pavarësisht se në sipërfaqe mund të duket sikur s’kanë lidhje me njëra tjetrën, destabilizimi i Tregut dhe i Nënës Natyrë kishte të njëjtin shkak. Kjo është arsyeja përse Bear Stearns dhe arinjtë polar* rrezikojnë të zhduken në të njëjtin çast. Kjo është arsyeja përse Citibank, bankat e Islandës dhe akujt e Antarktidës shkrinë të gjitha në të njëjtën kohë. Qe e njëjta moskokëçarje që i shkatërroi ato të gjitha. E kam fjalë për një rënie të përgjithshme të nivelit të përgjegjësisë individuale dhe institucionale të aktorëve të rëndësishëm si në botën natyrore ashtu dhe në atë të financave, së cilës iu shtua dhe llogarimbajtja e pandershme, që u lejoi individëve, bankave dhe firmave të investimit të fshihnin ose të nënvlerësonin sistematikisht rreziqet, të privatizonin fitimet dhe shpërndanin humbjet, ndërkohë që publiku i gjerë s’merrte vesh se ç’ndodhte.
 Natyrisht, jo e gjithë rritja në Amerikë apo gjetkë ishte mashtruese – aspak. Kemi përmirësuar produktivitetin dhe kemi krijuar kompani të reja si Amazon.com dhe Google; produkte të reja si iPhone; shërbime të reja si reklamimi online dhe open source software, të cilat të marra së bashku e kanë bërë jetën e njerëzve më të mirë, më të lehtë, më të këndshme dhe më produktive. Por, të paktën në Amerikë, një pjesë shumë e madhe e rritjes ekonomike qe në sajë të borxhit të marrë nga derrkucët e kursimeve të fëmijëve tanë dhe nga rezervat e Nënës Natyrë. Kësisoj, ne si shoqëri përfunduam duke jetuar përtej mundësive tona kolektive.
E gjitha kjo vazhdoi deri sa një ditë i erdhi fundi. Ose siç i pëlqen të thotë mikut tim Rob Watson, konsulent i çështjeve të ambientit që themeloi EchoTech International: “A e di, nëse hidhesh nga kati i fundit i një ndërtese tetëdhjetë katëshe, në fakt për shtatëdhjetë e nëntë kate mund të të duket sikur po fluturon. Është ndalesa e papritur në fund ajo që të merr në qafë.”
Recesioni i Madh qe ndalesa jonë e papritur. Pyetja është: A mund të mësojmë prej saj? Siç ka thënë ekonomisti i Stanford-it, Paul Romer: “Është e tmerrshme të çosh dëm një krizë.” Unë besoj se ne mund të mësojmë nga kjo krizë dhe qëllimi i këtij libri është që të japë një prej rrugëve se si mund të bëhet kjo.
 Ky është një ribotim i rishikuar. Versioni hardcover i këtij libri u botua fillimisht në shtator të 2008. Aty, unë argumentoja se Amerika kishte një problem dhe bota kishte një problem. Amerika, insistoja unë, e kishte “humbur fillin” pas fundit të Luftës së Ftohtë dhe sidomos pas 11 shtatorit. Ne ishim kthyer nga vetvetja dhe më shumë sesa shpresat tona po eksportonim frikërat tona dhe dukej sikur kishim vendosur ta shtynim për më vonë trajtimin e çdo problemi të rëndësishëm që dobësonte shoqërinë tonë, duke nisur me arsimin, sigurimet shoqërore e deri tek sistemi shëndetësor, deficiti, emigracioni dhe energjia. Argumentoja se kishim nevojë që të merreshim me rindërtimin e gjërave në shtëpinë tonë dhe besoj se qe pikërisht kjo ndjenjë, të cilën e ndante shumica e amerikanëve, që e çoi Barak Obamën drejt presidencës.
Por, po ashtu argumentoja dhe se bota kishte një problem. Ajo po nxehej (ngrohja globale), duke u bërë gjithnjë e më rrafshët (ngritja e shtresave të mesme me konsum të lartë anembanë botës) dhe më e mbipopulluar (po shkojmë drejt shtimit të popullsisë me rreth një miliardë njerëz çdo trembëdhjetë vjet.) Teza ime e asokohe, që mbetet teza ime edhe sot, ishte se Amerika mund ta rigjejë fillin e humbur, duke marrë drejtimin në zhvillimin e teknologjive dhe zgjidhjeve politike për të adresuar problemet më të mëdha të botës – energjinë dhe streset ekologjike që burojnë prej një planeti që po bëhet i nxehtë, i rrafshët dhe i mbipopulluar.
Ç’ka ndryshuar? Ndryshimi i parë është se problemet e Amerikës dhe problemet e planetit janë bërë më urgjente. Siç u përmend më sipër, sistemi i rritjes ku jemi futur ka sjellë një destabilizim si të Tregut ashtu dhe të Nënës Natyrë në një nivel që s’mund të shmanget më me marifete e të injorohet. Përkimi i stresit të madh financiar dhe ekologjik, çka e bëri Recesionin e Madh të ‘madh’, më mundësoi të shihja diçka që fshihej në dritë të diellit – problemet që po destabilizojnë Tregun dhe Nënën Natyrë e kanë zanafillën tek e njëjta llogarimbajtje e pandershme, nënvlerësim të rrezikut, privatizim të fitimeve, ndërkohë që humbjet shpërndahen në gjithë shoqërinë.
Prandaj i ripunova tre kapitujt e parë të librit për të shpjeguar se si dhe përse Tregu dhe Nëna Natyrë ranë në të njëjtën kohë. Pas kësaj, libri vazhdon njëlloj si në versionin origjinal. Pjesa e mbetur e gjysmës së parë, shqyrton ndikimin që sjellja jonë shpërfillëse ka pasur tek planeti. Gjysma e dytë shpjegon se si mund ta përdorim këtë krizë për të rigjallëruar Amerikën udhëheqja e së cilës – teknologjike, financiare, etike dhe ekologjike – do të jetë e një rëndësie jetësore për mënyrën sesi i tërë planeti mund të përballet me sfidat unikale të momentit.
Nëse do të më duhej ta shprehja përmbledhtazi domethënien e këtij momenti të vështirë, do ta bëja kështu: Prindërit tanë qenë Brezi që ndërtuan për ne në Amerikë një botë të lirë, një botë bollëku e shansesh që s’i kish njohur asnjë brez tjetër në histori. Brezi im (unë kam lindur në 1953), brezi i baby boomers rezultoi të ishte “Brezi i Karkalecave,” shprehje kjo e frymëzuar nga shkrimtari Kurt Andersen, i cili në një ese të botuar në Time kushtuar epokës së teprimit (26 mars 2009), argumentonte se gjatë tridhjetë vjetëve të fundit amerikanët i kishin lënë rrugë të lirë “karkalecit” të tyre të brendshëm dhe ishin gostitur me kursimet dhe botën e natyrës që kishin trashëguar, duke u lënë fëmijëve tanë deficite të mëdha ekologjike dhe financiare. Por s’mund t’ia lejojmë më vetes që të sillemi si karkalecat. Prandaj ne dhe fëmijët tanë duhet të shndërrohemi në “Brezin e Rigjenerimit”* dhe të gjejmë vullnetin, energjinë, përqendrimin dhe aftësinë novatore për të rigjeneruar, rinuar dhe rishpikur Amerikën, duke i ofruar botës një model të ri përsa i takon rritjes së standardeve të jetesës dhe ndërveprimit me natyrën.
Revolucioni i gjelbër s’ka të bëjë thjesht me ruajtjen e balenave. S’ka të bëjë as me ‘fëmijët e fëmijëve tanë’, pra për një brez aq të largët sa që e ke të vështirë t’i kushtosh shumë energji. Ai ka të bëjë me ne. Me botën ku së bashku me fëmijët tanë do të jetojmë pjesën që na ka mbetur të jetës, si dhe me faktin nëse do jemi në gjëndje të gjejmë mënyrën për të krijuar pasuri – sepse që të gjithë duan të jetojnë më mirë – pa krijuar asete toksike në botën financiare apo atë natyrore që do na merrnin frymën. Ky është një projekt i ngutshëm, sepse stilin tonë të jetesës së viteve të fundit s’mund t’ia lëmë dot trashëgim një brezi tjetër pa sjellë pasoja katastrofike. Është një detyrë e vështirë, një sfidë e madhe, që fëmijët tanë s’e kanë merituar, por së cilës tashmë s’mund t’i shmangen.
Siç e thashë më lart, Tregu dhe Nëna Natyrë hasën njëkohësisht probleme në fakt për të njëjtat arsye, që duhen kuptuar nëse s’duam t’i përsërisim. Do të fokusohem në tri prej tyre: harrimin dhe nënçmimin sistematik të kostos dhe rreziqeve të vërteta të asaj që po bënim; zbatimin e gjithëpërhapur të vlerave të këqija ekologjike dhe të biznesit, çka përmblidhet në frazën IBG/YBG* – bëj ç’të duash tani, sepse kur të vijë fatura “unë s’do të jem më këtu”, ose “ti s’do të jesh më këtu”; si dhe në privatizimin e fitimeve dhe shpërndarjen e humbjeve në shoqëri.

   Nënçmimi i rrezikut

Kolapsin e tregjeve e shkaktuan huatë hipotekore me rrezik [subprime mortgages], të cilat u lejonin njerëzve me të ardhura të ulta dhe me histori kreditimi të keqe ose pa asnjë histori kreditimi, të blinin shtëpi. Në kulmin e çmendurisë të këtyre huave, një agjent kredish në Los Angeles më tha se bankat dhe firmat që ofronin kredi po i jepnin hua kujtdo. Njerëz me 15.000 apo 20.000 $ të ardhura në vit, pa asnjë lloj vlerësimi të aftësisë shlyerëse të kredisë, dhe në ndonjë rast dhe pa një punë të rregullt apo dokumentet e shtetësisë amerikane, merrnin hua për të blerë shtëpi me vlerë 300.000 apo 400.000 $, pa lënë asnjë kolateral. Është mbresëlënëse se deri në ç’shkallë ne dhe të tjerët, i gllabëruam këto hua të ‘rrezikshme’ si të qenë bono thesari amerikane dhe jo instrumente financiare tejet të rrezikshme. Por si ndodhi kjo?
Sipas Peter J. Wallison, një ekspert i politikave financiare dhe bashkëdrejtues i projektit për politikën financiare të American Enterprise Institute, në shtator 2008 kishte rreth 25 milion kredi të rrezikshme apo të llojeve të tjera të papaguara, me një balancë të principalit të papaguar që arrinte në mbi 4.5 trilion $. Huatë hipotekore të rrezikshme, më shpjegoi Wallison-i, janë kredi që u jepen njerëzve me histori jo të mirë të shlyerjes së kredive dhe që nuk kapin rezultate të mira sipas mënyrave standarde që përdoren për të vlerësuar cilësinë e huamarrësit. Të tjera hua jo të mira (të njohura po ashtu si hua Alt-A) “janë kredi me interesa të ndryshueshme, me paradhënie të ulëta ose pa paradhënie fare, të cilat u jepen njerëzve që nuk i deklarojnë fare të ardhurat, ose që nuk u verifikohen të ardhurat,” shtoi ai. Këto quheshin shpesh ‘kredi gënjeshtarësh’, sepse të jepnin mundësi të fshihje vështirësitë financiare dhe të merrje gjithsesi një kredi pa kolateral, për të cilën në fillim të duhet të paguaje pak, por pastaj, pas një a dy vjetësh, fillonin pagesat e mëdha. Me fjalë të tjera, termi “hua jo të mira” i referohej cilësisë së huamarrësit – njerëz që dihet se mund të mos arrijnë të paguajnë që prej ditës së parë. “Huatë Alt-A” i referoheshin cilësisë së vetë huasë: huamarrësi mund të ketë një histori kreditimi të mirë apo të keqe, por vetë kreditë ishin për nga natyra të rrezikshme, sepse ato ishin dhënë me një kolateral të vogël apo fare pa kolateral, pa histori kreditimi, dhe mund të shtrenjtoheshin shumë në të ardhmen, duke bërë që si pasojë e njërit prej këtyre kushteve, të ekzistonte gjithnjë një mundësi e madhe që huamarrësi të mos qe në gjendje të përballonte këstet e kredisë. Megjithatë, për sa kohë që çmimet e shtëpive vazhdonin të rriteshin, kush kishte një hua Alt-A, në çastin kur kredia shtrenjtohej, kish mundësi të shiste shtëpinë (siç bënë shumë spekulatorë që përfituan nga ky bum ekonomik), dhe të fitonin më shumë sesa vlera origjinale e kredisë. Dhe kishte shumë agjentë kredish që u thoshin njerëzve: “Mos u shqetësoni: Blini tani dhe nëse s’i përballoni dot këstet e kredisë, thjesht shisni shtëpinë. Çmimet do të vazhdojnë të rriten. Nesër do të vlejë më shumë nga ç’vlen sot – e garantuar.” Por kur çmimet e shtëpive nisën të bien dhe kur filloi të godiste dhe shtrenjtimi i huave Alt-A, shumë nga ata që kishin marrë kredi të tilla, thjesht u mbytën në borxhe. Kreditë u rritën, ndërkohë që vlera e shtëpisë u ul, kështu që për ta s’kishte shpëtim.
Është e habitshme të shohësh sa shumë njerëz ranë në këtë kurth. Sipas Wallison-it, të 25 milion huatë e rrezikshme dhe Alt-A në 2009 përbënin pothuajse 45 % të të gjitha huave familjare në Shtetet e Bashkuara.
Jo shumë kohë më parë rregulli qe ky: që të parapaguanin 10 deri në 20 % të vlerës së shtëpisë prindërit kursenin për një kohë të gjatë e me shumë vështirësi, pastaj merrnin një kredi tridhjetë vjeçare nga ndonjë bankë apo union kreditimi për të paguar pjesën e mbetur. Të dyja palët qenë të lidhur bashkë. Ekzistonte një ndjenjë llogaridhënieje reciproke. Sistemi i ri solli një tjetër rregull: Kreditë e rrezikshme jepeshin nga bankat apo nga agjentët e kredive dhe pastaj i shiteshin menjëherë firmave të mëdha financiare, si Citibank, Merril Lynch apo Fannie Mae dhe Freddie Mac – pra institucioneve të sponsorizuara nga qeveria, të ngritura kryesisht për të punuar me bankierët dhe agjentët primarë të kreditimit, si dhe për të garantuar që këta të fundit të kishin fondet e nevojshme për t’u dhënë kredi atyre që dëshironin të blinin shtëpi me interesa të përballueshme. Këto banka investimi dhe sigurimi nxirrnin të ardhura të mëdha nga grupimi i këtyre kredive në bono – të njohura si garanci të siguruara me kredi [mortgage backed securities*] – dhe duke ua shitur ato më pas blerësve anembanë botës. Dukej si punë me mend që të merrje një tufë huash për shtëpi me një rrjedhje të parashikueshme likuiditeti dhe t’i paketoje së bashku në një bono të vetme që përmblidhte gjithë pagesat mujore të huave dhe t’i përdorje pastaj këto para për t’i paguar interesat dhe principalin personit që e kishte blerë këtë bono. Sa hap e mbyll sytë, ke krijuar një garanci të siguruar me asete. Menaxherët e fondeve anembanë botës i blenë këto bono. E përse jo? Prej tyre fitoheshin interesa më të larta se nga një bono thesari mesatare, gjë që fryu llogaritë e atyre bankave apo fondeve që i zotëronin. Në fund të fundit, agjencitë e vlerësimit u jepnin atyre nota të mira dhe amerikanët – të paktën brezi i prindërve tanë – kishin një përvojë të gjatë shlyerjesh të kredive.
“Kjo ishte padyshim e vërtetë kur pothuajse të gjitha kreditë ishin të mira, pra u jepeshin njerëzve që kishin një punë, që kishin bërë parapagesën dhe që i kishin interesat të pandryshueshme për tridhjetë vjet,” thotë Wallison-i. “Edhe në situatat më të vështira përqindja e humbjeve rrallëherë shkonte në mbi 4 për qind.” Por në fakt, bumi i huave të këqija ishte diçka krejt e re, shtoi ai. Këto hua kishin ekzistuar gjithnjë, por tradicionalisht përbënin një pjesë të vogël të tërësisë së huave. Kishte një arsye të fortë për këtë – ato ishin të rrezikshme. Disa nga parashikimet mbi nivelin e humbjeve në situatën aktuale arrijnë deri në 30 %, tha ai. Po atëherë, përse u futëm në këtë situatë? Një faktor kyç, tha Wallison, qe politika e qëllimshme qeveritare e Shteteve të Bashkuara për të nxitur blerjen e shtëpive dhe inkurajuar entitete thuajse qeveritare, të cilat kishin akses në shuma gati të pafundme kapitali të lirë, sidomos entitetet që jepnin hua për shtëpi si Fannie Mae dhe Freddie Mac, që tu jepnin kredi për shtëpi gjithnjë e më shumë njerëzve me ‘standarde fleksibël financimi.”
“Ata që e bënin këtë të mundur ishin Fannie dhe Freddie,” tha Wallison-i. Fillimisht ata stimuluan zhvillimin e një tregu për huatë e rrezikshme dhe ato Alt-A në Wall Street, duke blerë sasi të mëdha AAA tranches të përbëra nga hua të rrezikshme nga banka të ndryshme investimesh, si dhe duke mbajtur bonot. Pastaj, në fund të 2004, ata filluan t’i blinin këto hua me risk të madh në sasi të mëdha dhe t’i gruponin ato vetë në bono, duke konkurruar kështu me Wall Street-in. “Lufta mes Wall Street dhe Fannie e Freddie,” komenton Wallison, “e uli çmimin e huave me rrezik të madh, fryu flluskën e tregut të shtëpive dhe e mbushi atë me një sasi të paprecedent kredish me cilësi të ulët... Kjo është një histori që tregon sesi një politikë qeveritare e nisur nga qëllime të mira shkaktoi një rënie të ndjeshme të cilësisë së kredive në SHBA dhe së fundi solli krizën financiare që po përjetojmë sot.”
Po meqë ra fjala, ç’janë AAA tranches? Kjo është e rëndësishme. Përfytyroni sikur keni një pirg pjatash në lavaman dhe secila prej tyre përfaqëson një grup kredish me cilësi të ndryshme që përmblidhen në një ofertë bonoje. Pjatat më të këqija BBB dhe CCC janë në fund të lavamanit dhe japin interesa më të larta, sepse janë me rrezik më të lartë. Më të mirat, ato me huamarrës më të sigurt – AAA – janë në majë. Pastaj nis e mbush lavamanin me ujë – Recesioni i Madh i 2008-09. Tranches më të rrezikshme, me garanci të siguruara nga huat, zhyten shpejt nën ujë. Më të mirat, AAA tranche, normalisht do të qëndrojnë mbi ujë. Zakonisht, ato nuk lagen kurrë. Por ky Recesion i Madh nuk ishte i zakonshëm dhe sot shumë prej këtyre AAA tranches i ka mbuluar uji dhe ose nuk vlejnë asgjë, ose vlejnë vetëm sa një fraksion i vlerës së tyre fillestare.
Megjithatë, çmenduria me huatë e rrezikshme, u lehtësua jo thjesht nga dëshira e qeverisë amerikane për të nxitur ndërtimin dhe blerjen e shtëpive. Atë e ndihmoi gjithashtu lehtësimi më i madh i kreditimit dhe interesat më të ulëta – shumë të ulëta për një kohë mjaft të gjatë – nën udhëheqjen e Federal Reserve nga Alan Greenspan në fillim të viteve 2000. Lehtësimi i kreditimit nga Federal Reserve u mundësua nga sasia e stërmadhe e dollarëve të hedhura në qarkullim në ekonominë globale nga gjithë vendet me kursime të larta, sidomos nga Tigrat Aziatikë, eksportuesit e naftës së Lindjes së Mesme dhe Kina. Tani shumë ekonomistë besojnë se ishte kjo rezervë e madhe kursimesh aziatike dhe petrodollarësh nga Lindja e Mesme, të menaxhuara nga fondet sovrane të pasurisë në gjithë këto vende dhe të investuara rishtazi në Amerikë, që i uli interesat e bonove amerikane të thesarit dhe nxiti bankat e investimeve dhe magjistarët e financave që të shpiknin “risi” që do të sillnin fitime më të mëdha. Kjo i shtyu të ofronin gjithnjë e më shumë hua të rrezikshme dhe gjithnjë e më shumë derivate ezoterikë dhe ekzotikë, bashkë me produktet e sigurimit që i shoqërojnë ato. Më pëlqen mënyra sesi e përmbledh këtë situatë Sherle R. Schwenninger, drejtor i Programit të Rritjes Ekonomike të New America Foundation. Në një shkrim në The Nation (23 dhjetor 2008) ai shkruan: “Shkaku fillestar i kësaj ekonomie botërore të çekuilibruar është sasia e jashtëzakonshme e kursimeve të tepruara që kanë gjeneruar Kina, Japonia dhe më së fundi, petrodollarët e shteteve të Gjirit Persik. Kjo makutëri globale për të kursyer, siç e ka quajtur drejtuesi i Federal Reserve Ben Bernanke, ndihmoi në krijimin e një vazhde flluskash të aseteve në Shtetet e Bashkuara, duke arritur kulmin me ekspansionin e kreditimit të lirë dhe rritjen e shpejtë të çmimit të shtëpive që pasoi kolapsin e flluskës së tregut të teknologjisë,” shkruan Schwenninger. “Këto flluska të tregut të shtëpive dhe të kreditimit, nga ana e tyre ndihmuan në inflacionin e konsumit, duke u lejuar familjeve që të merrnin më shumë borxhe; përqindja e huave familjare si përqindje e të ardhurave të disponueshme u rrit nga 90 %, në 1990 në 133 %, në 2007.”
Për ta shprehur në terma më të thjeshtë, bankat dhe fondet sovrane të pasurisë që mbanin kursimet e zonjës Tanaka në Japoni, zotit Zhou në Kinë dhe zotit Abdullah në Kuvait, i dërguan këto kursime në Wall Street, ku disa prej shkencëtarëve më të mirë amerikanë të raketave projektuan produkte financiare për t’iu dhënë atyre fitime më të mëdha për investimin që bënin – pa u përballur me rreziqe më të mëdha, ose të paktën kështu ju thanë. Me gjithë këto para që kërkonin të kapnin kaq shumë fitime, ishte e pashmangshme që institucionet financiare që i menaxhonin këto para do të lobonin pranë Uashingtonit që t’u jepte atyre gjithnjë e më shumë “fleksibilitet” në projektimin e instrumenteve të reja të investimit që mund të sillnin fitime gjithnjë e më të mëdha. Dhe Uashingtoni ua bëri qejfin. Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe intensifikimin e globalizimit, presidentët miqësorë ndaj tregut (Ronald Reagan, George H.W. Bush, Bill Clinton dhe George W. Bush) së bashku me kongresmenët dhe senatorët të cilëve Wall Street-i u kishte mbushur xhepat përmes donacioneve për fushatën, i anuluan rregulloret e bankave që nuk u lejonin atyre të ndërmerrnin rreziqe të mëdha. Disa prej këtyre rregullave kishin qenë në fuqi që prej kohës së Depresionit të Madh.
Në këtë mënyrë, gjithnjë e më shumë para filluan të qarkullonin në një sistem financiar gjithnjë e më pak të rregulluar, dhe bankat filluan të merrnin përsipër rreziqe gjithnjë e më të mëdha me këto para – jo vetëm me huatë e rrezikshme, por dhe me lloj-lloj instrumentesh të tjerë, në gjithnjë e më shumë vende, duke përdorur instrumente gjithnjë e më ekzotikë dhe një likuiditet gjithnjë e më të madh në formën e huave, duke bërë transaksione që i kuptonin gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më pak transparente.
Le të marrim një shembull – derivatët. Në dhjetor të vitit 2000, Kongresi amerikan miratoi dhe Presidenti Clinton dekretoi, një legjislacion të kërkuar nga industria e shërbimeve financiare që i përjashtonte derivatët nga mbikëqyrja. Derivatët janë instrumente financiare vlera e të cilëve “buron” nga çmimi i ndonjë aksioni, bonoje, shërbimi apo malli real. Sipas Wisegeek.com, “Tipikisht, shitësi merr para në këmbim të një marrëveshjeje për të blerë apo shitur ndonjë mall apo shërbim në ndonjë datë të caktuar në të ardhmen.” Kështu, një bankë apo kompani sigurimesh mund të fitojë para duke shitur derivativë që sigurojnë garancitë e mbështetura me hua nga dështimi i pagesës. Këto quhen credit-default swaps*. Modeli për këtë lloj risie qe gjiganti i sigurimeve, American International Group.
Gretchen Morgenson dhe Don Van Natta Jr. i përshkruan aventurat e AIG në botën e rrezikshme të financave globale në New York Times (31 maj 2009): “Pasi u kalua legjislacioni i vitit 2000, tregtia e derivativëve pati një shpërthim të vërtetë, duke ndihmuar që tregtarët më të mëdhenj të nxirrnin fitime të jashtëzakonshme. Ky treg tani përfaqëson transaksione me një vlerë prej 600 trilion $, në karahasim me 88 trilionë që vlente një dekadë më parë. Sipas Reuters, në 2008 JPMorgan, tregtari më i madh i derivativëve fitoi 5 miliardë $ nga tregtia e tyre, duke e kthyer këtë në një prej bizneseve më fitimprurës. Mes kompanive që u zgjeruan me shpejtësi ishte dhe A.I.G. Duke iu larguar biznesit të saj kryesor që ishte sigurimi i pronave dhe i jetës, A.I.G shkroi një lloj kontrate të quajtur credit-default swap, e cila i mbronte pronarët e garancive të siguruara me kredi në rast mospagese të këtyre kredive. Në momentin që miliona huamarrës me rrezikshmëri të lartë reshtën së paguari kreditë e tyre, A.I.G i duhej të paguante klientët që kishin blerë sigurimet e saj kolaterale me para që thjesht nuk i kishte.”
AIG e nënçmoi krejtësisht, madje në një farë mënyre e fshehu, rrezikun që kish marrë përsipër. AIG zotëronte një aktivitet që përfshinte operacione kursimesh dhe huadhëniesh, kështu që biznesi i saj bankar i nënshtrohej rregullave federale. Ajo shiste po ashtu sigurime, biznes ky që rregullohej nga komisionarët e sigurimeve të çdo njërit prej shteteve. Por biznesi i derivativëve menaxhohej nga një hedge fund që kishte krijuar në zyrën e saj të Londrës – AIG Financial Products, ose AIGFP, e cila ishte pjesë e asaj morie fondesh investimi të pakontrolluara dhe private equity groups* të zhvilluara gjatë dy dekadave të fundit dhe që sot përfaqësojnë rreth 50 % të kreditimit në nivel global, duke e lënë në hije sektorin bankar tradicional. Asnjë institucion global nuk e rregullon këtë sektor. Ndonëse AIG përfaqësonte vetëm 1 % e të ardhurave totale të këtij sektori gjigant, rreziqet që ajo morri përsipër, praktikisht e çuan në kolaps. Dhe duke qenë se ky univers nuk është transparent apo i rregulluar, shumë pak njerëz brenda ose jashtë AIG ishin të vetëdijshëm sesa i madh ishte rreziku.
“Përpara krizës,” shkruajnë Morgenson dhe Van Natta,” ishin të paktë aktorët e tregut që njihnin përmasat e ekspozimit të AIG. Disa prej transaksione të derivativëve kryhen me anë të shkëmbimeve monetare, ku vlera dhe natyra e kontratave bëhen të ditura, por jo gjithnjë ndodh kështu. Credit-default swaps tregtohen privatisht. Kjo maskonte rrezikun e këtyre shkëmbime, duke bërë kësisoj që rregullatorët të mos e kuptonin kërcëninin që sillte me vete kjo shtrirje dhe ky keqmanazhim i tregut.”
Por si është e mundur që firmat e sofistikuara të financës botërore të çmendeshin e të merrnin përsipër rreziqe kaq të mëdha? Do të përmendja dy arsye. Së pari, magjistarët e tyre të matematikës sajuan modele që tregonin se kjo nuk ishte e rrezikshme. Në një raport special për disa prej këtyre financierëve të quajtur “quants,” që ndërtuan modelet matematikore mbi të cilat ngriheshin të gjitha këto garanci të siguruara me kredi, Newsweek-u (8 qershor 2009) përmendte sloganin e Warren Buffett-it: “Bëni kujdes nga qullashët që ju sjellin formula.” Më pas revista vazhdonte duke treguar historinë e super-qullashit David X. LI, “i cili teksa punonte në JPMorgan, krijoi Funksionin Gaussian Copula, një formulë që shërbente për të përcaktuar korrelacionin mes nivelit të mospagimit të garancive të ndryshme.” Në teori, nëse një garanci e siguruar me kredi nuk paguhej, modeli u jepte bankierëve një vlerësim se edhe sa garanci të tjera do të mbeteshin pa paguar. “Ajo që dukej si elementi gjenial i Funksionit Gaussian Copula, qe aftësia e saj për të abstraguar” thoshte Newsweek. Në vend të sasisë së jashtëzakonshme të të dhënave që përdoren për të përcaktuar mundësinë e një grup kredish dhe detyrimesh huamarrëse me kolateral për t’u paguar apo jo, Li dukej se kishte zbuluar një ligj të korrelacionit mes tyre. Me një fjalë, s’kish ç’u duheshin më të dhënat; korrelacioni ishte aty. Të armatosur me këtë formulë, quant-ët mund t’i vlerësonin ato mjaft më shpejt ndërsa tregtarët mund t’i shisnin e blinin me shpejtësi rekord. Për tregun e detyrimeve huamarrëse me kolateral (CDO) Funksioni Gaussian Copula ishte si karburant raketash. Vëllimi global i marrëveshjeve të CDO u rrit nga 157 miliardë $ në 2004, në 520 miliardë $ në 2006. Dora dorës që më shumë banka futeshin në lojë, marzhet e fitimit që dikur kishin qenë të mëdha, filluan të tkurren. Në mënyrë që bankat të vazhdonin të kishin të njëjtat fitime, atyre iu duhej që të fusnin gjithnjë e më shumë kredi në një CDO, duke i kthyer ato në fakt në bomba edhe më të mëdha.” Është e tepërt të themi se pa shkuar shumë, parashikimet pozitive të Li-së mbi korrelacionin mes mospagesave, doli se ishin të gabuara gjatë krizës së kredive të rrezikshme, kur këto kredi dhe bonot e tyre ranë së bashku si të qenë domino. Siç shprehej Newsweek: “Li ishte në rrugë e sipër për të marrë Çmimin Nobel kur bota u hodh në erë.”
 Arsyeja e dytë përse ato e nënçmuan rrezikun ishte edhe më e thjeshtë. Është diçka që ndodh në çdo flluskë ekonomike; ata që duket sikur janë të zgjuar, del të jenë me tërë mend të trashë – dhe janë të shumë. Ata fillojnë të besojnë në një koncept, që sipas tyre, nuk mund të jetë i gabuar. Në këtë rast, koncepti në fjalë ishte se çmimet e shtëpive në Amerikë nuk do të uleshin kurrë. Siç e vë në dukje Michael Lewis në një shkrim mbi AIGFP në Vanity Fair (gusht 2009), fillimisht njësia e AIG ishte përdorur nga bankat e investimit të Wall Street për të siguruar një mal me kredi që i ishin dhënë IBM dhe GE. Pastaj, në fillim të viteve 2000, AIGFP filloi të siguronte kredi më të këqija, garanci të siguruara nga borxhet e kartave të kreditit, nga huatë për studentët, huatë për automjetet dhe kreditë më të sigurta – me një fjalë gjithçka që gjeneronte rrjedhje parash. Siç thoshte Lewis, këto hua ishin kaq të shumëllojshme për nga natyra dhe palët që i kishin marrë ishin aq shumë, sa fare mirë mund të aplikohej e njëjta logjikë e vlerësimit të rrezikut: ato nuk mund të dështonin që të gjitha në të njëjtën kohë. Fillimisht mes këtyre kredive kishte shumë pak kredi të rrezikshme. Por kjo nisi të ndryshonte andej nga fundi i 2004. “Që nga qershori 2004 deri në qershor 2007,” shkruante Lewis, “Wall Street miratoi 1.6 trilion dollarë hua të reja të rrezikshme dhe rreth 1.2 trilion dollarë për të ashtuquajturat hua Alt-A.” Ky përshkallëzim qe i mundur pjesërisht, sepse AIGFP ishte e gatshme të siguronte shumë prej këtyre huave, duke fituar kësisoj miliarda dollarë.
E përse jo? Kjo mori huash dukeshin kaq të diversifikuara sa që të krijohej përshtypja se s’mund të ndodhte dot asgjë. Dhe kështu, AIG i përpiu ato, por pa vënë re se këto pirgje kredish konsumatore që ata po siguronin, qenë duke ndryshuar, tregon Lewis. Pas 2005, kreditë e rrezikshme u rritën nga 2 % në 95 % të paketave të kredive konsumatore që AIGFP garantonte, pa ndonjë kapital rezervë që do nevojitej për t’i mbuluar ato në rast se kishte mospagesa masive. S’kishte problem. Zyrtarët e AIGFP kishin besim se çmimet e shtëpive edhe nëse ndodhte të uleshin, s’do të binin kurrë kudo në të njëjtën kohë, duke shkaktuar kësisoj mospagesën masive çka do ta detyronte gjigantin e sigurimeve të paguante menjëherë gjithë zotëruesit e bonove të rrezikshme. Lewis citon Joe Cassano, aso kohe drejtues i AIGFP, gjatë një videokonference në verën e 2007, kur kriza e kredive të rrezikshme kish nisur të shpalosej: “Është e vështirë për ne që, brenda kufijve të arsyes, të mund të përfytyrojmë mundësinë që të humbasim qoftë edhe 1 dollar të vetëm në ndonjë prej këtyre transaksioneve.”
Pas disa muajsh, çmimi i shtëpive nisi të binte anembanë vendit dhe basti që kish vënë AIGFP e kishin futur atë në rrugën e falimentimit. Ky, zonja dhe zotërinj, është ajo që quhet nënçmim masiv i rrezikut.


IBG/YBG

Është shumë më e lehtë të nënçmosh rrezikun kur e di se ti vetë s’do ta kesh të vështirë të marrësh shpejt përqindjen tënde të interesit dhe pastaj, huanë e keqe t’ia kalosh dikujt tjetër. I gjithë kapitali global që vërshoi në Wall Street në fillim të viteve 2000 në kërkim të fitimeve më të mëdha, erdhi jo vetëm në një kohë kur kreditimi po bëhej më i lehtë dhe kufizimet rregulluese tradicionale që kishin ekzistuar në Amerikë, po bjerreshin, por në një kohë kur dhe vetë morali i biznesit po zbehej. Në fakt, gjërat qenë edhe më keq. Pjesërisht, Recesioni i Madh qe rezultat i bjerjes etike të aktorëve kryesorë, si bankierët, agjencitë vlerësuese, firmat investuese, ato të kreditimit apo dhe vetë konsumatorëve. Mund të kesh gjithë rregullat e botës, por kur lakmia tundon një numër të madh njerëzish deri në atë masë sa t’i bëjë të humbasin aftësinë për të parë larg, si dhe ndjenjën e përgjegjësisë, s’ka rregull në botë që mund të të ndihmojë. S’qenë sjelljet e paligjshme ato që shkaktuan Recesionin e Madh, por gjëra që ndodhnin në sy të të gjithë atyre që duhet ta kishin kuptuar këtë situatë, por të cilët për të mos prishur festën, e lanë mënjanë atë që besonin, vlerat, moralin dhe skepticizmin e tyre. Po, jo se ata s’kishin “parime”. Për fat të keq, flluska e kreditimit që solli destabilizimin e gjithë ekonomisë globale ngrihej mbi “parime” që në botën e bankave njiheshin si IBG/YBG –“I’ll be gone” apo “You’ll be gone” (“Unë do kem ikur”, ose “Ti do kesh ikur” kur punët të shkojnë keq.
Ja sesi funksiononte. Agjenti i kreditimit i cili së pari i shiste një familjeje një hua, të cilën pastaj ia kalonte institucioneve më të mëdha financiare, si Fannie Mae apo Citibank, e dinte që “s’do të ishte aty” nëse, apo kur, familja që kishte marrë huanë s’do kishte mundësi ta paguante atë: Kredia nuk do të ishte më e tija – ajo do t’i përkiste Fannie-t ose Freddie-t. Me një fjalë, kjo ujdi me rrezikshmëri të lartë, për atë vetë nuk paraqiste kurrfarë rreziku. Dhe ai i thoshte familjes se e njëjta gjë vlente edhe për ta. Nuk kishte problem nëse u rezultonte se nuk mund t’i paguanin më këstet, sepse meqë çmimet e shtëpive do të vazhdonin të rriteshin, ata thjesht mund ta shisnin shtëpinë për më shumë nga ç’kishin paguar, ose thjesht mund ta linin. Agjencitë e vlerësimit, fitimet e tarifat e të cilave vareshin nga sasia e bonove të këtyre kredive të rrezikshme që duhej të vlerësonin, ishin të interesuara t’i vlerësonin ato sa më lart që të mund të shiteshin më lehtë, por dhe që sa më shumë firma investimi dhe banka të kërkonin shërbimet e tyre. Por dhe nëse këto bono dështonin, thoshin vlerësuesit, ‘unë s’do të jem më këtu.’ Bankat e investimit ishin po ashtu mjaft të interesuara të mblidhnin sa më shumë hua në formën e bonove, të cilat i shisnin anembanë botës, sepse tarifat ishin tejet të larta por dhe sepse, për sa kohë s’do mbanin shumë nga këto bono në llogari, edhe sikur të dështonin, kujt i bëhej vonë?
Me fjalë të tjera, i gjithë sistemi varej nga njerëz të cilët e krijonin rrezikun, përfitonin prej tij, pastaj e transferonin atë tek dikush tjetër, pa iu dashur kurrë të mbanin përgjegjësi më pas. Kësisoj, morën hua njerëz që s’duhej të kishin marrë kurrë dhe dhanë hua njerëz që nuk duhet të kishin dhënë kurrë, të tjerë i mblodhën ato në formën e bonove që kurrë nuk duhet ta kishin bërë, siç i vlerësuan këto bono si AAA njerëz që s’duhet ta kishin bërë këtë kurrë, të tjerë që s’duhet t’ua kishin shitur kurrë ato fondeve të pensioneve apo institucioneve të tjera financiare anembanë botës, ua shitën. Kurse kompanitë që kurrë nuk duhet t’i kishin siguruar, siç ishte AIG, i siguruan pa vënë mënjanë asete të mjaftueshme për të mbuluar rastin e mospagesës masive të tyre. Që të gjithë hamendësuan se mund të përfitonin personalisht në planin afatshkurtër, pa iu dashur kurrë të shqetësoheshin se çdo të ndodhte në planin afatgjatë pasi t’ia kishin kaluar bonot dikujt tjetër.
Presidenti Obama, gjatë shpalosjes së planit të tij për rregullimin e tregjeve pas kolapsit të viti 2008, e përmblodhi këtë më së miri kur vuri në dukje se Wall Street kishte zhvilluar një ‘kulturë papërgjegjshmërie’, sipas së cilës çdokush ia kalonte rrezikun dikujt tjetër derisa më në fund, produkti financiar blihej nga dikush që ose s’e kuptonte rrezikun ose nuk kuptonte se si funksiononin bonot ose derivativët. “Ndërkohë që,” tha presidenti, “drejtuesit ekzekutivë shpërbleheshin për diçka që s’kishte lidhje me përformancën e tyre afatgjatë apo realitetin, duke shpërblyer moskokëçarjen dhe jo sjelljen e përgjegjshme.”

Privatizimi i fitimeve dhe shpërndarja e humbjes

Sikur rreziku i vërtetë që përmbanin këto kredi të rrezikshme dhe kostoja e sigurimit për rast mospagese do përfshihej në çmimin e këtyre produkteve, ato nuk do të ishin vlerësuar kurrë ashtu si u vlerësuan. Investuesit do të kishin qenë shumë më të kujdesshëm dhe do të kishin kërkuar shumë më tepër garanci para se t’i blinin, çka do t’i kishte detyruar agjentët e kredive të tregoheshin më të kujdesshëm kur të vendosnin se kujt ia jepnin këto hua, ndërkohë që bankat do të ishin treguar më të kujdesshme në përzgjedhjen e huave që do të përfshiheshin në bono. Por fitimet ishin thjesht shumë të mëdha, kurse tundimi për të nënçmuar rrezikun dhe për të privatizuar fitimet ishte tepër tunduese për të gjithë ata që merreshin me këtë punë. Ishin të rrallë bankierët që i rezistuan tundimit. Siç ish drejtori ekzekutiv i Citigroup, Charles Prince, i tha Financial Times, më 9 korrik 2007, vetëm pak javë përpara se tregu i kredive të fillonte të binte në pikiatë: “Për sa kohë vazhdon muzika, duhet të çohesh e të kërcesh.” Që të gjithë, aksionerët, anëtarët e bordeve dhe analistët e tregut u thoshin firmave financiare dhe shefave të tyre: Përse s’tregoheni dhe ju po aq agresivë sa të tjerët? Përse s’i gruponi dhe ju kreditë dhe CDO-të? Përse s’po nxirrni dhe ju fitime të tilla të mëdha? Gjithë këta stimuj i shtynin drejtorët ekzekutivë të ndërmerrnin rreziqe edhe më të mëdha. Dhe ç’stimuj se! Në dhjetor 2007, në një kohë kur tregu i kredive tanimë ishte tronditur seriozisht, drejtuesi kryesor ekzekutiv i Goldman Sachs Group Inc. Lloyd Blankfein mori një bonos prej 67.9 milion dollarësh, bonusi më i madh që i ishte dhënë ndonjëherë drejtuesit të ndonjë firme në Wall Street. Po nëse punët më pas shkonin keq për firmën? S’ka problem. Zakonisht, drejtorët ekzekutivë i kishin hartuar kontratat e tyre gjatë shtatë vjetëve të begatë, duke u siguruar që e keqja më e madhe që mund t’u ndodhte qe një rënie me parashutë floriri. Në 1 nëntor 2007, drejtori ekzekutiv i Merril Lynch, Stan O’Neal dha dorëheqjen, duke marrë një parashutë të artë me vlerë 161.5 milion dollarë, pavarësisht faktit se investimet në kredi të rrezikshme nga ana e firmës së tij do të sillnin një humbje prej 2 miliard dollarësh.
Vetëm kur gjithë ngrehina filloi të tronditej në shtator 2008, pas kolapsit të Lehman Brothers që e detyroi Kongresin të ngrinte një fond emergjence prej 700 miliard dollarësh në mënyrë që Thesari të mund të parandalonte kolapsin e plotë të sistemit financiar, njerëzit nisën të kuptonin ç’kishte ngjarë: Bankierët që kishin kontribuar për të sjellë këtë rrezik dhe kishin privatizuar përfitimet, ishin TWG*– ‘kishin ikur’ – kurse ne ishim WWSH – ‘Ishim ende këtu.’ Ne kishim lejuar që investitorët dhe drejtuesit e Wall Street të nënçmonin rreziqet, të privatizonin fitimet dhe të detyronin më pas taksapaguesit t’iu shpëtonin kokën, kur humbjet e tyre rrezikonin ta bënin gjithë sistemin të binte në kolaps.
Përse vallë ne Populli e mbajtëm këtë barrë? Sepse prej saj varej fati i ekonomisë. Kompanitë kryesore të shërbimeve financiare qenë bërë shumë të mëdha që të mund të lejoheshin që të falimentonin, sepse po t’i kishim lënë të binin do të kishim rënë edhe ne bashkë me to. Unë dhe ti do të kishim shkuar tek bankomati për të nxjerrë para nga llogaria dhe nuk do të merrnim dot asgjë. Në fakt, kjo ndodhi për një farë kohe me ata që kishin depozita në tregun më të vjetër të parasë në Amerikë, në Reserve Primary. Ky fond prej 64.8 miliard dollarësh kishte 785 milion dollarë obligacione afatshkurtra të lëshuara nga Lehman Brothers. Kur Lehman Brothers deklaroi falimentimin në shtator 2008, Reserve Primary nuk kishte mundësi t’i paguante plotësisht klientët e saj – pra, të paguante 1 dollar për çdo dollar që ata kishin depozituar – dhe iu desh të mbyllej për njëfarë kohe. “Kur bilanci i një kompanie nuk pasqyron kostot dhe rreziqet e vërteta të një aktiviteti biznesi dhe kur ajo kompani është shumë e madhe për t’u lejuar të falimentojë, përfundimi është që ato privatizojnë fitimet e tyre dhe i shpërndajnë humbjet në shoqëri,” më tha Nandan Nilekani, themeluesi i kompanisë indiane të teknologjisë Infosys. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Deri në verën e 2009, falë humbjeve të saj të stërmëdha në tregun e derivativëve vetëm AIG për të mbijetuar kishte nevojë për më shumë se 170 miliardë dollarë mbështetje nga paratë e taksapaguesve.
Medet, ne amerikanët nuk ishim të vetmit që menduam se mund të fluturonim. Edhe vende të tjera na kopjuan pa humbur kohë. Kjo ishte e pashmangshme. Në një botë të rrafshët, ku lidhjet po bëhen çdo ditë e më të ngushta e më të shpejta dhe ku kopeja elektronike e kapitalit shkon tutje tëhu në kërkim të fitimeve gjithnjë e më të mëdha, ishin të shumtë njerëzit që donin të bëheshin pjesë e kësaj loje. Dhe nuk kishte rëndësi sesa i vogël ishe; gjithkush mund të hapte një kazino globale në garazh. Pyesni Islandën.


[1]* Një lloj tigani i përdorur në kuzhinën e Azisë Lindore.
• Ushqim meksikan në formën e petave me miell misri.
                

Sytë e urrejtjes


Oktavio PAZ 

1. 
Në orën tre fiks, Don Pedro u ul në tavolinën tonë, përshëndeti çdo njërin prej konkurentëve, pëshpëriti për veten e tij një frazë të padeshifrueshme dhe zuri vend qetësisht. 
Kërkoi një filxhan kafe, ndezi një cigare, dëgjoi muzikë, piu me gllënjka kafen e tij, mori sombreron, nxori portofolin, na tha të gjithëve “ditën e mirë” dhe iku. 
Dhe kështu të gjitha ditët. 

2. 
Çfarë thosh Don Pedro, kur ulej dhe kur ngrihej me fytyrën serioze dhe sy të fortë? 
Thoshte: 
“Ishalla vdeksh!” 
Don Pedro e përsëriste shumë herë në ditë këtë frazë. Kur zgjohej, kur ngrihej nga mëngjesi i tij i zakonshëm, kur hynte dhe dilte nga shtëpia e tij në orën 8:00, në orën 13:00, në orën 14:00, në orën 19:00 dhe në orën 04:00, në kafeteri, në zyrë, përpara dhe mbas çdo ngrënieje, kur shtrihej për të fjetur. E përsëriste ndër dhëmbë apo edhe me zë të lartë, vetëm apo edhe në shoqëri. Ndonjëherë vetëm me sy. 
Gjithmonë me gjithë shpirt. 
Askush nuk e dinte se kujt ia drejtonte këto fjalë. Të gjithë nuk ia vinin veshin pikënisjes së kësaj urrejtjeje. Ndoshta ishte një urrejtje pa shkak, ndoshta një urrejtje e pastër. 
I veshur në të zeza, ai dukej se mbante zi për dënimin që i kishte dhënë vetes. 

3. 
Një mbasdite, Don Pedro arriti më vonë se zakonisht. U ul pa u ndier dhe atëherë, kur ishte kulmi i qetësisë, çka kushtëzohej më tepër nga praniae tij, papritur lëshoi këto fjalë: 
“Tashmë e vrava.” 
Cilin dhe si? 
Disa buzëqeshën, duke dashur ta merrnin si shaka. 
Vështrimi i Don Pedros i stepi. Të gjithë u ndjenë të shqetësuar. 
Pak nga pak, grupi u shpërbë. Don Pedro mbeti vetëm, më serioz se asnjëherë. Nuk u kthye më ditën tjetër. 
Kurrë nuk u kthye më. 
Vdiq? 
Ndoshta i mungonte urrejtja që e mbante gjallë, ndoshta jeton ende dhe tashmë urren ndonjë tjetër. 
Unë rishikoj veprimet e mia. 
Dhe të njëjtën gjë të këshilloj të bësh edhe me të tuat: a ke menduar ndonjëherë sikur, ndoshta shumë pranë teje, të të shohin sy si ato të Don Pedros? 

Përktheu Flora Nikolla 

Ftesë me rastin e promovimit të librit “Anamorfoza e mesazhit të madh”

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Kemi kënaqësinë të ju ftojmë në promovimin e librit
«Anamorfoza e Mesazhit të Madh»
me autor
z.Bardhyl Rauf Fico

 

Datë:    29 janar 2011

Ora:     12:30

Vendi:  Akademia e Shkencave

             Salla “ Aleks Buda”

Përmbledhje mbi librin:

 

Titulli: Anamorfoza e mesazhit të madh

 

Autori: Bardhyl Rauf FICO

 

Botues: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC)

 Faqe: 278

  

Në përgjithësi prej kohësh, librat me një kontekst polemizues pothuajse kanë munguar për publikun e gjërë e dashamirës të librit shqiptar. Në këtë rrafsh Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) së fundmi, me rikthimin e kësaj tradite ka nxjerrë në dritë botimin e librit të autorit Bardhyl Fico, me titull “Anamorfoza e Mesazhit të Madh"" Libri përmban tone polemizuese, por autori nuk çapitet që të gjejë fajtorin ose të ndreq fajin. Ai synon që të vendos linja të qarta mbi akuzat e para të kohshme ndërmjet shkrimtares së mirënjohur me origjinë italiane Oriana Falaci dhe botës islame.  

“Anamorfoza e mesazhit të madh...” e z. Bardhyl Fico përbën një risi këto vitet e fundit për mënyrën sesi mund të zhvillohet një debat i zotëruar nga mllefet dhe urrejtjet, por prej të cilit mund edhe të mësohet diçka, e në mos kështu, të paktën të mësohet sesi mund të zhvillohet një debat social-kulturor në distancë. Në librin e z. Fico flet urtësia e përvojës diturake të njerëzimit. Teksti i librit është dhënë me një presim e thukje të jashtëzakonshme, që ngërthen një logjikë aforistike. Lakonizmi i fjalëve, referencat e dëndura verbale nga kultura e Lindjes dhe Perëndimit janë sfondi sintetik i librit, mes të cilit idetë dhe akuzat e zonjës nervoze – siç e quan autori, –  janë i vetmi absurditet...

Në brendinë e këtij libri lexuesi do të gjejë dramën e urtësisë në përplasje me shkulmet e çmendura; do të gjejë arsyen e dashurisë dhe etjen për iluminim mendor e shpirtëror.  Autori merret me rrënjët e dukurisë së asaj metamorfoze, apo  më saktë neuroze, që ka përfshirë konstruktin moral të dijeve intelektuale të Perëndimit. Në krahun tjetër Metamorfoza e zonjës Falaçi është një sindromë neurotike e alibisë së njeriut të zeherosur, e cila penën e saj e ngjyen në vrer e jo në dhimbjen njerëzore. Stili dhe virtytet e shkrimit të saj bëhen befas mjete të yshtjes së xhindosur, që shkakton konfrontimin e hapur të kulturave, traditave dhe feve, duke i vendosur ato në një antagonizëm përjashtues me njëra-tjetrën. Kështu Oriana Falaçi bën mëkatin më të madh e më të pafalshëm: mosdurimin. Bardhyl Fico në këtë libër, duke shpjeguar thelbin hyjnor të fesë paqësore e ndriçuese të Islamit dhe duke bërë distancimet nga aventurierët kokëkrisur terroristë, i heq bazën “mllefit” të Oriana Falaçit, duke i njehësuar terroristët e çdo feje me terrorologjikën intelektuale të vetë znj. Falaçi.

Në faqet e librit shpërthen erudicioni pikant, përthyerja dhe jehona e veprës së profetit Muhamed (a.s.), si dhe lavdia e dijetarëve muslimanë, që përbënë një trashëgimi të fortë të artit, shkencës, kulturës dhe filozofisë botërore, të cilat janë në gjenezë edhe të qytetërimit Perëndimor.

Libri është shkruar nga një zotëri, që siç thotë ai, është modest dhe jo një zanatçi librash, që nuk ka hallin e shtimit të ndonjë cv-je në listën e gjatë të botimeve që mbushin raftet. Bardhyl Fico është një intelektual i ushqyer me kulturën shqiptare, patriotizmin e kombit të vet por edhe me kulturën Perëndimore e trashëgiminë e pasur të Lindjes, është një njeri i purifikuar nga urtësia e librave që mëtojnë dashurinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor.


 

Albanian Institute of Islamic Thought & Civilization (AIITC)
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam 
 
Adresa Rr.Ali Demi P.14, Ap.1       P.O. Box 2905 - Tirana, Albania        

 Tel:   ++ 355 4 23 82 156  Tel/Fax: ++ 355 423 40 089
Mob: ++ 355 67 20 63 709

KULTI I DETIT NË ZONËN E BREGUT TË DETIT TË JONIT


Botuar te "Kultura Popullore" 1/2, 2010, organ i Institutit te Antropologjise Kulturore dhe Studimit te Artit
                   Doktorante IRENA GJONI   SARANDE   SHQIPERI


Objekti i këtij punimi është një nga kultet më të rëndësishme të Krahinës së Bregdetit të Jonit: kulti i detit dhe ritet kushtuar atij.
Bashkë me kultin e ullirit (i cili do të jetë në vazhdim të këtij shkrimi), janë konsideruar si dy kultet më interesante në këtë rajon, për të cilat ka interpretime nga më të ndryshmet, duke mbetur parësor fakti se janë rituale që kanë mbetur në kujtesë, shumë herë edhe në aplikim ngaqë lidhen direkt me mënyrën e jetesës, me ekonominë tradicionale të zonës, me ullirin e detin si burim i të mirave materiale për banorët. Pra zanafilla e këtyre kulteve është rrjedhojë e rëndësisë që kanë këto dy burime ekonomike (ulliri dhe deti) në jetën e banorëve të bregdetit tonë jonian.
Bregdeti është një nga trevat më të bukura e më të rëndësishme në Shqipëri dhe është krahina që shtrihet përgjatë detit Jon. Përbëhet nga Bregdeti i Poshtëm dhe Bregdeti i Sipërm, ku përfshihen 14 vendbanimet: Nivicë - Bubari, Shën Vasili, Lukova, Sasaj, Piqerasi, Borshi, Qeparoi, Kudhësi, Piluri, Himara, Vunoi, Iliasi, Dhërmiu e Palasa. Historikisht kjo krahinë ka qenë zemra e një treve shumë më të gjerë në jugperëndim të vendit. Nëse sot krahina përfshin 14 fshatra, deri në shek. XVIII përfshinte 52 fshatra të Bregdetit, të Lumit të Vlorës e të Kurveleshit e deri te ura e Leklit në Tepelenë.
Bregdeti ka qenë i banuar qysh në shekullin XII p.e.s. Këtë e dëshmojnë qartë gërmimet arkeologjike të bëra në kalanë e Badhrës në Borsh, për të cilën arkeologët e historianët mendojnë se i takon shek. XII p. e. s. Po ashtu aty ndodhen kalaja e Himarës e shek V - IV p. e.s., kalaja e Sopotit e shek. IV p.e.s., kalaja e Karosit dhe e Dhoknës e shek III - II p. e.s.[1]
Zona e Bregdetit ka qenë e banuar nga kaonët. Nga të dhënat e mësipërme arkeologjike del se në popullsinë e Bregdetit është shumë i përmendur edhe një tjetër fis, ai i Keraunëve.
Kaonët kanë qenë një nga fiset e Ilirisë Jugperëndimore që përmenden për herë të parë prej Hekateut, dijetar grek i fundit të shek. VI dhe fillimit të shek. V p.e.s. në librin e tij “Udhëtim rreth botës”.[2] I përmend edhe Pseudo - Skylaksi, bashkëkohës i Hekateut. Ai shprehet: “Pas ilirëve vijnë kaonët, pas Kaonisë vjen fisi i Thesprotëve”.[3] Kaonia zinte pjesën veriperëndimore të Epirit dhe me emrin Kaonë janë njohur banorët e kësaj zone.
Historikisht krahina e Bregdetit ekonominë e vet e ka mbështetur tek prodhimi i ullirit, i agrumeve dhe tek peshkimi. Pra si rrjedhojë edhe lidhjet e kësaj popullsie me ullirin dhe detin, kanë qenë shumë të forta dhe të ndërtuara mbi bazën e utilitarizmit. Kësisoj adhurimi për ullirin e detin fitoi përmasa kaq të gjera sa ndikoi që të shndërroheshin në kult.
Kulti vjen nga latinishtja “cultus” që do të thotë “adhurim”. Pra, kulti është tërësia e riteve, e lutjeve, e namatisjeve, e flijimeve, e shërbimeve fetare dhe e ceremonive të tjera. Kulti lindi së bashku me përfytyrimet konceptuale primitive, si pasojë e pafuqisë së njerëzve të hershëm në luftën e tyre me natyrën. Ai është i lidhur me besimin pagan mbi frymërat dhe shpirtrat (animizmi). Kultet e arritur në mënyra të ndryshme deri tek ne, të shprehura në shumë e shumë forma në trashëgiminë tonë kulturore dëshmojnë për besimin e të parëve tanë në forcat e mbinatyrshme dhe në dëshirën për t’i bërë për vete këto forca me anë të riteve fetare dhe magjisë.[4]
Ne shumë mënyra është e mundshme të lidhet kulti me ansamblet e riteve, vëzhgimet si përligjie e tyre dhe me jetesën e bashkësisë (e Bregdetit në këtë rast, shën. im, I.Gj.) që i kanë praktikuar këto rite, si një marrëdhënie vetëpërligjëse.[5]
             Kulti shprehej më tepër në formën e veprimeve magjike, të cilat njerëzit besonin se kishin aftësinë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, për të ndaluar fenomenet e padëshirueshme, duke adhuruar forcat e natyrës dhe duke i hyjnizuar ato.
Kulti i ndërfutur në rit, bëhet më veprues dhe më aktual.[6]
Siç pohuam që në fillim edhe ritet kushtuar dy kulteve tradicionale në Bregdet, janë krijuar nga mënyra e jetesës, nga fakti se mbijetesa e banorëve në këtë zonë është siguruar kryesisht prej të ardhurave të nxjerra nga deti e druri i ullirit.
            Bregdeti është shumë i pasur në mite e rite. Në këtë përfundim arrin  edhe studiuesi Mark Tirta, i cili shprehet se për mitet, ritet dhe besimet e kësaj zone është shkruar pak, pra ato nuk njihen sa duhet, prandaj është e nevojshme të studiohen më tej. Ndërsa këngët rituale nuk janë mbledhur, megjithëse në këto vise janë me shumicë.
Kultet e ullirit e të detit, si dhe ritet kushtuar atyre, janë pjesë e gjithë kulturës shqiptare, ato paraqesin ngjashmëri me zonat tjera përreth, sidomos me ato bregdetare, ku kanë gjalluar për arsyet e mësipërme, utilitare e konceptuale.
Në të njëjtën kohë, duke njohur e realizuar krahasime me kuptime e trashëgimi të ngjashme në kulturat ballkanike e mesdhetare vërehen ngjashmëri, por edhe ndryshime. Ka përqasje e shkëmbime kultesh, ritesh e zakonesh me popujt fqinjë, me Greqinë Veriore, me shtatë ishujt Jonianë dhe me pjesën jugore të Italisë, me të cilët banorët e Bregut kanë  pasur shumë marrëdhënie historike, kulturore e tregtare. Dukuria marrje-dhënie ose dhënie-marrje është më e theksuar në zonat ndërkufitare. Kjo ndodh për faktin se popujt janë të konverguar në vizionet e tyre, në mënyrat e ngjashme se si e kanë siguruar jetesën, janë të ndikuar edhe nga përvojat historike, të cilat në rrjedhat e kohërave kanë qenë shpesh të ngjashme.
Por po kaq janë edhe të diverguar në këto vizione, për shkaqe nga më të ndryshmet. Njohja e thellë e kulturave të tyre, pjesë e rëndësishme e të cilave janë edhe kultet e ritet kushtuar tyre, i përfshin këta popuj në një etikë universale.[7]
Kultet e ullirit e të detit  në Bregdet këndvështrohen në dy rrafshe:
a.        Si substrate të një kulture të lashtë, me shenja të dukshme tipologjike mesdhetare, por edhe me mbivendosje të tjera rajonale.
b.       Si struktura kulturore dhe poetike, që përgjatë shekujve kanë marrë veçori antropologjike dhe stilistike të abitatit ku kanë mbijetuar dhe zhvilluar.[8]
      Që në shek.XIX etnologët shihnin te kultet përkthimin në ide dhe në imazh të riteve që kishin të bënin me paraegzistencën.[9] Për të ndjekur dukuritë kultike të hershme të Bregdetit, duhet t’u drejtohemi pikërisht kultit të ullirit e të detit. Këto i kanë rezistuar kohës në kujtesën popullore. Një pjesë e tyre kanë pasë ndikime edhe tek feja e krishterë e krahinës. Kur njerëzit praktikonin ritin, ata s’bënin gjë tjetër veçse imitonin stërgjyshërit, heronjtë etj. që e kishin kryer për herë të parë këtë rit, këtë ceremoni. Mbetje të shumta të kultev e riteve primitive janë ruajtur deri vonë dhe hetohen të gërshetuara edhe me elemente fetare kristiane.
Krahas shfrytëzimit të studimeve të mëparshme të fushave të ndryshme albanologjike, në këtë studim i është kushtuar vëmendje e posaçme materialit burimor, të mbledhur direkt në terren.
                                        KULTI I DETIT

         1.1   DY PAMJE KONTRASTUESE TË DETIT

      Krahina e Bregdetit ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me detin. Me të ka të ndërthurur pjesën më të madhe të jetës, të ekonomisë, të lidhjeve me botën. Nëpërmjet tij Bregdeti ka qenë i lidhur me botën e huaj (me Korfuzin, Venedikun, me Gjenovën etj).
Në sytë e bregdetasve të lashtë, ashtu si dhe të grekëve e romakëve të lashtë, koncepti fillestar mbi detin ishte pamja e dyanshme e tij. Simonidhi e përshkruan kështu: “Shumë herë qëndron i palëvizur, të keq nuk bën, përveç gëzimit për marinarët. Në verë, shumë herë i papërmbajtshëm përplas valët me furi”.[10]
      Këtë kontradiksion të detit e shpreh qartë A. Papleka: “Marrëdhëniet e himariotëve (nënkupto bregasit- shën. im, I.Gj.) kanë qenë komplekse, madje kontradiktore. Nga njëra anë deti është një element i jashtëzakonshëm, i stërfuqishëm dhe i madhërishëm i natyrës, si një hapësirë e pakufishme për bëma dhe aventura, si një mundësi për të siguruar fitime të mëdha përmes tregtisë, peshkimit, piraterisë etj. . Nga ana tjetër ai ka qenë një botë e panjohur, vendbanimi i qenieve të llahtarshme, apo vdekjeprurëse, shkaktari i furtunave shkatërrimtare, rruga nga kanë ardhur nëpër shekuj ushtri pushtuese dhe piratë.”[11] Madje, tri  arsyet  e  fundit thuhet se janë bërë shkak që disa fshatra të Bregdeti të tërhiqen nga buza e detit, më në lartësi e thellësi.
      Megjithatë, nga ana tjetër, deti mund të paraqitet si një burim i çmuar jetese nëpërmjet peshkimit dhe tregtisë. Bregdetarët janë njohur si detarë të mirë e të zotë, pa përjashtuar piraterinë e qeparotasve e të himariotëve. Aq të lidhur kanë qenë me detin, sa thonë se në Piqeras kishte aq varka, sa kishte dhe burra, prandaj shpesh i thonë “Fshati i varkarëve”.
      Kjo ka bërë që tek banorët e kësaj treve shumë kuptime mitologjike dhe rite të kishin të bënin me detin. Elementët e paganizmit të lidhura me të (detin) mbijetuan edhe pas krishtërimit, por përgjithësisht të pasuruara me detaje kristiane.

                  1.2.  HYJNIZIMI I DETIT

      Kultin e detit e hasim tek ballkanasit dhe te mbarë indoevropianët.
      Në të gjithë këta popuj ai shfaqet me një fuqi të mistershme, herë jetëdhënëse e herë të frikshme. Kudo flitet për thellësi të mistershme, të panjohur e tepër të fuqishme. Ky konceptim i hershëm natyrisht që lidhet me nivelin e njohjes së një realiteti veprues tepër energjik. Por mund të gjykohet se ndër kohëra, me dëshirën njerëzore për të kuptuar të sotmen e imagjinuar të ardhmen, fuqia e mistershme e detit mund të jetë interpretuar si simbol i misterit të thellë e të pazbuluar të së ardhmes.
Duke qenë banorë të bregut të detit Jon mendojmë se edhe kaonët do të kenë pasur emërtesë të një hyjnije deti në trajtë ikone të antropomorfizuar. Në fakt kjo ngelet vetëm një hipotezë, sepse asgjëkundi nuk ekziston një emërtim konkret për hyjninë tonë të detit, as në tekstet e shkruara, as në burimet gojore. Por hipoteza e egzistencës së kësaj  hyjnie deti bëhet më e besueshme për shkak se në konceptin etnologjik popullor shqiptar deti ka qenë dhe vijon të mbetet një forcë tejet e madhe, të cilit banorët e Bregut i falen e i blatojnë. Ndaj mendojmë se ndër kohëra do të ketë pasë një emërtesë konkrete edhe këtu në Breg:
1.          Sepse të tilla ekzistojnë në të gjitha hapësirat kufitare me Kaoninë, kështu që nuk kishte pse të bënte përjashtim ky vend.
2.          Sepse deti në vetvete në Bregdet është konsideruar si hyjni dhe gjithmonë i janë adresuar lutje. Madje këtu deti shfaqet me një funksion të dyfishtë: edhe si hyjni, edhe si altar ku adhurohej e lutej.
3.          Sepse Detit i është blatuar (sipas të dhënave gojore) si në periudhat pagane, ashtu edhe në ato kristiane. Në periudhat pagane e më vonë flijonin njerëz, kryesisht fëmijë për të shpëtuar nga e keqja. Më vonë flijimi u zëvendësua nga qenie njerëzore, në ato shtazore, më vonë ushqimore. Një formë më e vonët blatimi ishte edhe ndezja e qiririt në det.[12]
4.          Egzistencën e hyjnisë së detit në Kaoni, e vërteton tërthorazi edhe një figurë mitologjike që quhet “Nëna e detit”, konceptimi popullor i së cilës paraqet ngjashmëri me perëndeshën e detrave e oqeaneve, Tetis. Te  “Përralla e djalit dhe e kuçedrës”, thuhet: “Duke u kthyer për në shtëpi, me gëzim të madh për fitoren e madhe që pat, na ra në det dhe “Nëna e Detit” e hëngri”.[13]          
5.          Ka shumë të ngjarë që në Bregdet, pasardhësi më i vonë i hyjnisë së antropomorfizuar të jetë Shën Spiridhoni. Kjo është fare e natyrshme po të kemi parasysh se prej shekujsh banorët e kësaj treve janë ndodhur nën ndikimin e regjionit të krishterë të ritit ortodoks greko- bizantin.[14]


    1.3. RITET KUSHTUAR KULTIT TË DETIT

      Pavarësisht që nuk kemi një emër të saktë të hyjnisë së detit në zonën e Bregdetit, egzistenca e kësaj hyjnie nuk është mohuar asnjëherë. Po kaq i sigurt është ruajtur edhe funksioni i tij themelor si mbrojtës i lundërtarëve. Jo pa qëllim në konceptimin popullor ky është atributi i tij kryesor. Lundërtarët, apo detarët ishin më në kontakt me detin. Ata ishin më të rrezikuar prej tij dhe ishin personat që i luteshin më shumë, bashkë me familjarët e tyre. Këtu shfaqet më i pranishëm edhe gërshetimi i elementit pagan me atë kristian. Detarët, përpara çdo lëvizjeje, çdo daljeje në det i luteshin detit: “Të lutemi i madhi det, ndihna të na vejë lundrimi mbarë!”, “Të lutemi Baba det, mos të ketë tallaz në det!”, “Zoti Det, i plotfuqishëm që na jep jetë e shpirt”. Po me kaq pathos i luteshin edhe Shën Spiridhonit të kasës dhe e shoqëronin me bërjen e kryqit. Ndërsa të afërmit e tyre luteshin: “O Shën Spiridhon, na i shpëto! Të venë shëndoshë e të kthehen shëndoshë!” [15]
      Kur ishin në det në rrezik, detarët bregdetarë i drejtoheshin njëri – tjetrit: “Bëni kriq, kriqi ju ndihtë”. Shpesh këtë ritual e shoqëronin me hedhjen e kryqit në det.[16] Hedhja e kryqit për të lehtësuar tallazet vdekjeprurëse, është një mbivendosje kulturore. Konvergimin e simbolikës së kulteve pagane me simbolikën e kulteve kristiane e vemë re jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, siç e pamë edhe më sipër.
      Kur u vonoheshin njerëzit në detin me tallaz, gratë dilnin karshi Korfuzit, bënin kryq dhe luteshin: “Shpëtoma burrën e djalën, o Shën Spiridhon i kasës!”
      Dhe si shpërblim për shenjtërinë e tyre, Shën Spiridhonin, që i “ndihte” (ndihmonte- dialektore –shën. im) dhe s’i braktiste kurrë, bregdetasit tradicionalisht më 12 dhjetor të çdo viti, ua hipnin karaveve e shkonin në Manastirin e Shën Spiridhonit në Korfuz. E çanin detin më 12 dhjetor edhe në furtunë, vetëm e vetëm për të arritur tek fryma e shenjtë e Shën Spiridhonit. Kënga thotë:
                  O karav[17] me derte shumë,
                  Ku të zu ajo furtunë,
                  Apo e bën maksus,[18]
                  Të na nxjerrësh n’Othonus[19]
                  O ndë nisi në Korfuz?
                  O kanal Korfu me shkumë,
                  Natën njomë e ti më shumë,
                  Ule pak atë furtunë,
                  Se na prishe shumë punë
                  për Spiridhon do vete u’(unë). [20]
      Faleshin e luteshin në kishën e Korfuzit duke qëndruar tërë natën jashtë, ndonëse në kohë shumë të ftohtë, në dhjetor. Besohej se Shën Spiridhoni natën ngjallej e ditën futej në kasë, duke lënë këpucët jashtë kase. Ndërsa zakonisht netët e tjera qëndronte buzë detit. Ndër dhuratat më të preferuara që njerëzit çonin te Shën Spiridhoni ishin këpucët.
      Natën e Shën Spiridhonit burra, gra e fëmijë që nuk shkonin dot në Korfuz, mblidheshin në sheshet e kishave e bënin një zjarr të madh. Djemtë i kapërcenin zjarret e shenjtë për të komunikuar me forcat e mbinatyrshme. Në këto zjarre piqnin kurbanët që kishin therur për Shën Spiridhonin.[21]
      Për të njëjtin moment, A. Papleka përshkruan: “Natën e Shën Spiridhonit, djemtë mblidheshin grupe-grupe, ndiznin zjarre në rrugët e fshatit dhe një zjarr të madh në një kodrinë. Këtë të kremte, banorët e krahinës hanin mish. Duke u nisur nga skenari i këtij riti, ku është i pranishëm edhe kulti i zjarrit, mund të them se duhet të ketë pasur ndonjë altar të thjeshtë në natyrë. Djemtë i kapërcenin zjarret për të komunikuar me forcat e mbinatyrshme e për t’u pajisur me cilësi të jashtëzakonshme. Ashtu si në kontekste të tjera, mishi që hahej natën e Shën Spiridhonit, ka qenë mbijetesë e flisë së qëmotshme që i bëhej hyjnisë së detit.[22]
      Kaq i lidhur ka qenë shpirti i këtyre njerëzve me detin, sa kur ndodhte ndonjë fatkeqësi në krahinë, jo vetëm i luteshin detit, por flijonin dhe njerëz, kryesisht fëmijë, për të shpëtuar nga e keqja. Më vonë flijimi u zëvendësua nga qenie njerëzore me ato shtazore. Tregojnë në fshatin Nivicë-Bubar: “Në stanin e një familjeje kishte rënë një sëmundje e rëndë, sa çdo ditë u ngordhnin 7-8 krerë bagëti. Thirrën meshtarin e fshatit. Ai iu lut detit në Grykën e Kakomesë. Të gjitha bagëtitë i spërkatën e i lanë me ujin e detit, si shpëtimtari i vetëm i fatkeqësisë. Flijuan 12 desh në det, duke vënë përpara Ungjillin e Manastirit të Kakomesë. Si për çudi, ngordhja u ndërpre. Të gjithë ia dedikuan këtë mirësi “Baba Detit”, “Zoti Det”, “Të madhit Det”.[23]
      Riti i flijimit, si një nga më të vjetrit e njerëzimit, shfaqet me një tipologji krejt të veçantë në Bregdet: ai nuk bëhet as në kala, as në kishë e as në urë, (vendet tipike të hiperlandit ballkanik), por në det.

                  1.4.   RITE TË TJERA

      Ndër ritet e tjera që kanë lidhje me kultin e detit, praktikuar ndër banorët e Bregut përmendim:
a.                                   Larja katartike me ujë deti
b.                                   Riti kurativ
c.                                    Riti magjiko religjioz i kthimit të dallëndyshes
d.                                   Riti për prerjen e sifonit
      Për këto rite kemi të dhëna vetëm nga arkivi gojor, nga një dorëshkrim i Minella Gjonit “Mite e rite në Bregdetin e Poshtëm” dhe nga një material më specifik, më të plotë dhe më shkencor të studiuesit Anton Papleka, të botuar tek “Himara në shekuj”. Ndër këta rite, më interesantin kemi konsideruar ritin për prerjen e sifonit. Prandaj e pamë të arsyeshme që të japim një përmbledhje të shkurtër të këtij riti, me disa ndërhyrje analitike, me shpresën e një zgjerimi të gamës studimore të tij, në një punim tjetër.
      “Një ndër dukuritë metereologjike më tipike dhe më mbresëlënëse të trevës së Bregdetit, ka qenë sifoni. Ai në kuptimin popullor është i shtrirë nga retë deri në det, thithte ujë nga deti, përpinte anijet, shkulte ullinjtë. Sifoni zbriste nga reja lart, derisa futej në det. Populli mendon se kaq fuqi ka sifoni, sa nxjerr ullirin nga toka në Palasë dhe e shpie në Vuno. Po ta prisnin, nuk bënte dëm. Sifoni nuk është konsideruar si demon, si përbindësh, apo të ketë patur ndonjë trajtë ikonike
      Njerëzit nuk e dëshironin stuhinë, por kur vinte ishin të detyruar ta përballonin. Bënin çdo lutje e veprim për ta ndaluar këtë fuqi të pallogaritur meteorologjike. Prerja e sifonit bëhej si nga ata që jetonin në tokë, ashtu edhe nga lundërtarët në det. Kryenin këtë rit: njerëzit merrnin një urë të ndezur dhe e hidhnin në oborr, duke belbëzuar gati si me vete. Atë e realizonin në formë dialogu. I pari thoshte: “Ç’pret aty?”. Tjetri i përgjigjej: “Pres sifonin”. Ky dialog përsëritej tri herë. Përdorimi i urës së zjarrit shpreh epërsinë e botës qiellore mbi botët e tjera, epërsinë e hyjnisë së Diellit mbi atë të Detit. Në një trajtë tjetër që paraqet përparimin teknik të shoqërisë njerëzore, ura e zjarrit është zëvendësuar me armë zjarri. Kur vinte sifoni në drejtim të anijes e gjuanin me armë. Që të bënte kohë e mirë, qëllonin me armë në sy të resë që t’i pëlciste syri e të hapej koha. Sipas Andrea Varfrit (poet nga Qeparoi), për të prerë sifonin përdorej një brez i zi, i gjatë dhe i hollë. Kur e këputnin në mes këtë brez, pritej sifoni. Diku përdorej një tërkuzë e madhe e bardhë dhe me të dalë sifoni, thoshin: “O burra, ta presim se do të na marrë!” Merrnin një kërcu, një tërkuzë të bardhë liri, të cilën e vendosnin mbi të dhe e mbanin nga skajet dy fëmijë. E ëma e fëmijëve thoshte: “Siç të pres unë tia, o tërkuzë, kështu u preftë sifoni!” Këto fjalë i përsëriste tri herë, pastaj gruaja qëllonte me sëpatë. Duhej që tërkuza të këputej me një të rënë të sëpatës. Po qe se nuk pritej tërkuza me një të rënë, duhej të përsëritej tërë riti. Kjo tregonte se sifoni duhet të ishte shumë i fuqishëm. Ndodhte që sifoni pritej pa i bërë këto veprime. Atëherë thoshin: “Dikush e ka prerë”. Sifoni këputej në mes, hollohej e ikte larg. Veç tërkuzës, një mjet magjik i fuqishëm ishte thika me dorezë të zezë. Doreza duhej të ishte prej briri dhie, cjapi ose sorkadheje. Atë e mbante përpara në anije Karaviqeli (nostromi, drejtuesi i anijes), i cili shikonte nga vinte shtrëngata. Tehu i thikës mbështillej me lëkurë gjarpri e lule trëndeline. Trëndelina përdorej që të binte bunaca. Koncepti mbi forcën magjike të trëndelinës ndoshta buron në mendimin se ajo simbolizon motin e mirë kur i çelin lulet.
      Ndikimet e krishtërimit ishin më të dukshme te një trajtë tjetër e këtij riti, ku thika me dorezë të zezë, ngulej në mes të pendë allfës. Kur njeriu që e kryente këtë rit, ndodhej në shtëpi, ai dilte në dritare. Pendë allfa kishte këtë tekst: “Më përpara ishte fjala/ fjala për perëndi/ dhe perëndia – fjala”. Në trajtën më të thjeshtëzuar, këtij riti i ka mbetur vetëm teksti namatisës. Kur ndodheshin në det, për të prerë sifonin, lundërtarët thoshin: “Shpëtona, o zot nga një stuhi e madhe!” Me të thënë këto fjalë, sifoni këputej në mes”.[24]
      Nga sa u tha më sipër, del në pah se ky është një rit me origjinë pagane. Shtresat e tjera kulturore kristiane janë mbivendosje të një kohe më të vonshme.
Gjithë këto rite të ndjekura nga banorët e Bregut tregojnë për raportin e natyrshëm me detin, në breg të të cilit jetojnë dhe nga i cili kanë siguruar një pjesë shumë të madhe të të mirave materiale për jetesë. Njëherazi raportet e paqta me detin u janë dashur si nevojë mbijetesë, mpasi jetojnë në brigjet e tij, deti ka shërbyer si mundësi kalimi nëpër vende të tjera të botës e shumë funksione të tjera utilitare jetësore.

1.5. GJALLESAT FANTASTIKE QË POPULLOJNË DETIN NË KONCEPTIMIN POPULLOR


              Në Bregdet është e njohur thënia: “Ç’ka stereja, ka deti”. Bregdetasit e hershëm kanë besuar (një trashëgim i ardhur nga brezi në brezi) se në det ka krijesa në trajtë ujku, qeni, ariu e njeriu.
Në fantazinë popullore gjallesat fantastike që kanë populluar detin ndahen në dy kategori:
a. përbindëshat e detit            b. zanat dhe xhindet e detit

                        PËRBINDËSHAT E DETIT

            Vetë Kimera është përbindëshi me kokë luani, bisht gjarpëri që në shtrirje kap nga brirët një dhi. Nga gjetjet arkeologjike, në trevën e Himarës duhet veçuar një fragment arkitran, në të cilin është gdhendur edhe një përbindësh deti.
            Sipas traditës gojore në Palermo, pranë kështjellës, ishte një gropë e thellë, ku mendohej se rronte lubia. Njerëzit thonë: “Mo (mos) vete të lahesh atje, se të rrufiti lubia!” Sipas  tyre lubia kishte trajtën e një peshku që përpinte njerëz. Në këtë kategori hyjnë edhe përbindëshi që nga gjysma e trupit e lart ishte njeri e nga gjysma e trupit e poshtë ishte peshk. Një konceptim të ngjashëm gjejmë edhe në vende të tjera, me Nereidat, bijat e Nereut dhe të Doridës. Ato njihen si nimfat e Mesdheut. Personifikonin lëvizjet e valëve, ngjyrën e tyre etj.. Nereidat banonin në fund të detit, në një pallat të shndritshëm dhe zbavitnin të atin me këngët dhe vallëzimet e tyre. Paraqiteshin si vajza të reja, të bukura, me flokë të stolisur me inxhi, të hipura mbi delfinë, ose mbi kuaj të artë. Nganjëherë janë qenie fantastike, gjysmëgra, gjysmëpeshq. Përbindëshit e detit  dilnin në tokë, pastaj zhyteshin prapë në det. Mund të rrëmbenin edhe të mëdhenjtë. Qeniet gjysmë kafshë e gjysmë njeri popullonin edhe shpellat buzë detit. Ato ishin tinzare e të fuqishme dhe lëshonin klithma. Po t’u afrohej ndokush, ato dilnin te gryka e shpellës dhe njerëzit iknin të lemerisur. Nuk rrëmbenin as fëmijë, as bagëti. Po t’i shihje këta përbindësha, ishte ogur i keq për të dalë në det.[25]



                                   ZANAT DHE XHINDET E DETIT

            Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë figura antropomorfe, që në folklor quhen “zana të detit” ose “xhindet e detit”. Ato imagjinoheshin se rronin në det ose në shpellat bregdetare. Banorët e Bregut imagjinojnë se në shpellën e Spilesë në Himarë kanë qenë zanat e detit.
            E përhapur në Bregdet është gojdhëna e martesës së një  njeriu me një nuse ujërash. Thuhet se në lëmin e grurit që ishte afër buzës së detit erdhën 12 xhinde dhe nisën vallen. I zoti i lëmit që ruante i fshehur midis duajve të grurit, hodhi brezin dhe zuri njërën prej tyre, ndërsa të tjerat ikën. Robinja iu lut ta lëshonte, por himarioti e mbajti për grua. Për ta bërë të lumtur e të pasur, ajo i vuri si kusht të mos i fliste për tre vjet, tri javë, tri ditë, tri orë e tri minuta. Burri i foli pa dashur tri minura para se të mbaronte afati. Për këtë arsye ajo iku bashkë me vajzën që kishte me himariotin. Kështu e tregojnë të moçmit në Himarë këtë bëmë të trashëguar  kushedi sa breza.[26]
Sendi që përdorej për të kapur xhindet e bukura që dilnin buzë detit ishte një brez i bardhë prej leshi deleje me nëntë vrima, i cili mbahej në mes.
            Bashkimi apo martesa e një të vdekuri me një krijesë të mbinatyrshme, në trajtën e një xhindeje deti është një arketip mitologjik që haset gjithandej. Në paraqitjen e këtyre fenomeneve në Bregdet, bie në sy funksionalizimi i lëmit si hapësirë magjike – religjioze, ç’ka të shtyn të mendosh përsëri për kultin e detit.  Shumë e përhapur në Bregdet është edhe figura e Nuses së Detit. Ndër atributet kryesore të saj përmendim aftësinë për të parashikuar të ardhmen e të vdekshmëve. Në ndryshim nga hyjnitë e tjera, ajo duhej marrë me të mirë, i thureshin lavde dhe i blatoheshin dhurata.
Si përfundim zona e Bregdetit, që shtrihet përgjatë detit Jon, sa mbaron Vlora deri në Jug të Shqipërisë është një nga trevat më të lidhura me detin. Historikisht kjo krahinë, një nga pikat më të forta në ekonominë e vet e ka mbështetur krzesisht tek peshkimi. Pra si rrjedhojë edhe lidhjet e kësaj popullsie me detin kanë qenë shumë të forta dhe të ndërtuara mbi bazën e utilitarizmit dhe të nevojës për të mbijetuar në kohë e hapësirë. Ndër shekuj adhurimi për detin u shfaq në forma nga më të ndryshmet. Ato i hasim edhe sot, në kuptimet kultike e rituale popullore, në folklorin gojor të zonës, të shndërruara në kulte e të funksionalizuara në rite, me veçoritë e tyre kuptimore të përgjithshme, me tipologji origjinale, me mbivendosje fetare, me dhënie-marrje me zonat e tjera të gjithë vendit, por edhe me ndikime të ndërsjellta ndërkufitare e rajonale.
BIBLIOGRAFIA

1.      A. Papleka, “Deti  dhe ulliri në traditën gojore  të Bregut” tek “Himara në shekuj”, Tiranë, 2004[1]
2.      A. Jakllari, “Historia e mendimit etnologjik dhe mitologjik”, Tiranë, 2003
3.      A. Jakllari,  “Universet e panjohura” , Tiranë, 2002
4.      A. Stipçeviq, “Simbolet e kultit tek ilirët”, Prishtinë,1982
5.      E. Çabej, “Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe”, I BUSHT; SSHSH, 1960, nr.4
6.      F. Rrapaj, “Fjalori onomastik i Epirit”, Tiranë, 1995
7.      F. Veizi, “Bregu i detit në këngë”, Tiranë, 1998
8.      [1] G. Dommernuth-Gudrich, “Mitet”, Tiranë, 2006
9.      [1] G. Houtzager, “ Ελληνικη Μυθολογια», Athinë, 2004
10.  Gj. Zheji “Folkori shqiptar”, Tiranë, 2004
11.  “Hylli i dritës”, Shkodër,1931 nr.8-12 
12.  [1] J. G. Frazer, “Il ramo d’oro”, Torino, 1950
13.  [1] J. G. Frazer, “Letreres legendaire de l’humanite”, Paris, 1925
14.  J. Soustelle, “Encyclopedie de la Pleiade”, Paris, 1968
15.  [1] M. Gjoni, “Shën Vasil  fshat i dëgjuar”, Sarandë, 2006
16.  [1] M. Tirta, “Mite e besime në Bregdetin e Sipërm të Himarës”, tek “Himara në shekuj”, Tiranë,2004
17.  [1] M. Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë, 2004
18.  [1] M. Papadhima, “Nga jetesa, zakonet dhe luftrat e niviciotëve”, Tiranë, 2004
19.  [1] N. Psilakis, “ Κρητικη  Μυθολογια»  Ηρακλειο,  1996
20.  [1] S. Th. Frashëri, “Folklori shqiptar”, Tiranë, 1936
21.   T. Dhama, “Fjalori i mitologjisë”, Tiranë, 1987
22.  [1] Visaret e Kombit III, Tiranë, 1944
23.  Yvonne De Sike  “Fetes et croyances populaires en Europe an fin des saisons”, Bourdeaux, 1995      


       [1] Muzafer Korkuti, “Sudost Evropa Zëischen 1600 und 100 V.Chr.” Berlin, 1982, fq. 235-253
[2] N. Hammond “Epirus”, “Iliria dhe ilirët tek autorët antikë” , Tiranë, 1965, f. 58
[3] “Iliria dhe ilirët tek autorët antikë” , Tiranë, 1965, fq. 36
[4] Gjergj Zheji “Folkori shqiptar”, Tiranë, 2004, fq. 55
[5] J. Soustelle, “Encyclopedie de la Pleiade”, Paris, 1968, fq. 327
[6] A. Jakllari, “Historia e mendimit etnologjik dhe mitologjik”, Tiranë, 2003, fq. 191
[7] Adem Jakllari,  “Universet e panjohura” , Tiranë, 2002, fq.7
[8] Aleksandër Stipçeviq, “Simbolet e kultit tek ilirët”, Prishtinë, 1982
[9] V. Berardi, “Origjina e kulteve arkadiene”, Paris, 1894 (sipas A. Jakllarit në “Universet e panjohura” , Tiranë, 2002, fq.7 )
[10] N. Psilakis  “ Κρητικη  Μυθολογια»  Ηρακλειο,  1996, fq. 67.
[11] A.Papleka “Himara në shekuj” v. e cit. fq.439
[12]Arkivi vetjak i familjes Gjoni. Minella Gjoni, dorëshkrim, 1988
[13] S. Th. Frashëri, “Folklori shqiptar”, Tiranë, 1936, fq.245
[14] Anton Papleka, “Deti  dhe ulliri në traditën gojore  të Bregut”, tek “Himara në shekuj”, v.e cit. fq.442
[15]Arkivi vetjak. Grumbulluar nga Irena Gjoni, prej Spiro Nasti (82 vjec), Lukovë, 2003
       [16]. Po aty.
[17] Anije.
[18] Enkas, me qëllim
[19] Një nga ishujt e vegjël të Korfuzit përballë Himarës.
[20] Fane Veizi, “Bregu i detit në këngë”, 1998, fq. 106
[21] Arkivi vetjak. Grumbulloi Irena Gjoni, prej Dhespo Xhani (83 vjeç) Piqeras, 1999
[22] A.Papleka “Himara në shekuj” v.e cit. fq.443
[23] Mitro Papadhima “Nga jetesa, zakonet dhe luftrat e niviciotëve” , Tiranë, 2004, fq.82
[24] A. Papleka “Himara në shekuj” v. 2004 f.449.
[25] Anton Papleka “Deti  dhe ulliri në traditën gojore  të Bregut” tek “Himara në shekuj” v.e cit.
[26] . Grumbulluar nga Minella Gjoni, prej Odise Çipës, 83 vjeç, Himarë 1988

Flurudha

Shtypi

Lajmëtari Shqip

Letërsi

 

© 2013 Informacione. All rights resevered. Designed by Templateism

Back To Top